Porti i Durrësit është një nga partnerët aktivë në projektin “SA connectivity”, në kuadër të të cilit u zhvillua së fundmi një takim pune për vlerësimin e thelluar të transportit multimodal dhe rrjeteve TEN-T në zonën e Programit.

Gjatë takimit, përfaqësues të partnerëve të projektit diskutuan mbi gjetjet paraprake të analizës së lëvizshmërisë multimodale, e cila mbulon të gjitha format e lidhjes dhe transportit në nivel kombëtar dhe ndër rajonal. U theksua rëndësia e analizës së rrjeteve TEN-T, duke pasur në fokus potencialin për zgjerim në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe rolin kyç të portit të Durrësit, në këtë kontekst.

“Në thelb të programit tonë qëndron zhvillimi dhe përmirësimi i një sistemi lëvizshmërie që është i qëndrueshëm, rezistent ndaj ndryshimeve klimatike, inteligjent dhe intermodal, duke përfshirë nivelet kombëtare, rajonale dhe lokale. Ky qëndrim synon të sigurojë akses më të mirë në rrjetin TEN-T dhe të fuqizojë lëvizshmërinë ndërkufitare, duke kontribuar në një lidhje më të fortë dhe efikase midis vendeve dhe rajoneve tona. Përmes analizave të thelluara nga mobiliteti multimodal, rrjetet TEN-T, deri te riplanifikimi i Korridorit VIII, ne synojmë të krijojmë një infrastrukturë transporti që i përgjigjet jo vetëm sfidave të sotme, por edhe atyre të së ardhmes, në harmoni me standardet dhe strategjitë evropiane për zhvillim të qëndrueshëm. Rezultatet përfundimtare të këtij procesi do t’u propozohen ministrive përkatëse të transportit në të tre vendet pjesëmarrëse, si një bazë solide për përfshirje në strategjitë e tyre afatmesme.”,- tha për “DurrësLajm” Serena Kovaçi, Drejtuese e Njësisë së Bashkëpunimit Ndërkombëtar, APD.

Një nga aspektet më të rëndësishme të diskutimit ishte Korridori VIII, si një arterie strategjike për lëvizjen ndërkombëtare dhe bashkëpunimin rajonal. Pjesëmarrësit theksuan nevojën për rishikimin dhe përditësimin e tij në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, objektivat e Marrëveshjes së Gjelbër dhe prioritetet e makrorajonit Adriatik-Jon.

Porti i Durrësit, përmes përfaqësuesve të tij, kontribuon në këtë proces me përvojën teknike dhe njohuritë operacionale në fushën e transportit dhe logjistikës, duke luajtur një rol të rëndësishëm në identifikimin e nevojave reale dhe mundësive për zhvillim të qëndrueshëm.

Ky projekt synon të krijojë një bazë solide për politika të reja të transportit të gjelbër dhe të qëndrueshëm, që do të sjellin përfitime konkrete për qytetarët, institucionet publike dhe aktorët ekonomikë në të gjithë zonën e Programit.