DURRES, 25 shkurt 2013 – Investimi që po realizohet për rrugën hyrëse të automjeteve në portin e Durrësit pritet të përfundojë brenda muajit maj. Në një komunikatë për shtyp, Autoriteti Portual i Durrësit njofton se investimi në vlerë 159 milion lekë pritet të bëhet realitet pas rreth 2 muajsh. Deri tani projekti që po zbatohet nga firma ndërtuese “Varaku” është realizuar në afro 70 përqind të tij. Asfaltimi i aksit rrugor do të fillojë më 1 mars, ndërkohë traseja e rrugës me gjatësi 740 metra dhe gjërësi 19 metra ka përfunduar tërësisht.
Porta e hyrje-daljes së automjeteve në pjesën juglindore të portit do të ketë gjerësinë 19 metra. Ajo do t’i shërbejë kontrollit elektronik të automjeteve dhe sipas projektit po ndërtohet rreth 100 metra larg hyrjes ekzistuese, brenda territorit portual.
Përfundimi i kësaj rrugore do të mundësojë zbatimin e një projekti të ardhshëm që do të lidhë rrugët aktuale të mbikalimit në urën e Dajlanit me të gjitha rrugët hyrëse të portit, që vijnë nga jugu dhe pjesa qendrore e vendit.
Porta nr. 4 do të jetë mjaft moderne dhe e pajisur sipas të gjitha standarteve portuale evropiane. APD ka bërë me dije se një projekt shtesë do të sigurojë peshimin dinamik në lëvizje të të gjitha automjeteve të rënda që hyjnë dhe dalin nga porti, për të garantuar peshën e tyre për aks në funksion të sigurisë së rrugëve dhe vetë mjeteve.
Projekti i rrugës dhe Portës nr 4 përfshin një sipërfaqe të përgjithshme punimesh prej 27 mijë metër katrore. Përveç këtyre elementëve kryesore para hyrjes nr 4 është parashikuar ndërtimi i një sheshi prej 5500 metra katrore për të gjithë automjetet që nuk kanë prenotuar më parë udhëtimin me traget. Pranë këtij sheshi mund të kryhen të gjitha procedurat paraprake të udhëtimit.
Rruga e re që mbërrin pranë terminalit të trageteve do të ketë 6 korsi dhe do të jetë e ndarë në dy kahe të lëvizjes së automjeteve. Në krahun e kangjellave ndarëse me stacionin hekurudhor të udhëtarëve projekti parashikon ndërtimin e një trotuari për lëvizjen e këmbësorëve, ndërsa në të dy anët e rrugës është parashikuar edhe krijimi i një sipërfaqe të gjelbëruar.
/m.b. Agjensia e Lajmeve "Dyrrah"/





