Porti detar i Durrësit vijon punën me kapacitet të plotë për anijet tregtare që sjellin apo dërgojnë mallra nga Shqipëria jashtë.
Në këto ditë të vështira që kalon vendi, në kalatat e portit detar të Durrësit përpunimi i anijeve tregtare me mallra vijon normalisht për të përballuar nevojat e tregut vendas.
Nga të dhënat mësohet se këtë fillim jave, pesë anije tregtare janë në proces ngarkim-shkarkimi. Katër prej tyre po shkarkojnë grurë, kontejnerë me mallra të ndryshme, ure, si dhe hekur për sektorin e ndërtimit, ndërsa po ngarkohen për eksport 4100 tonë çimento, prodhim vendi.
Në pritje, gjatë ditëve në vazhdim, janë 4 anije të tjera që do sjellin mbi 5000 tonë grurë nga Rusia, 6400 tonë kripë nga Egjipti dhe skrap nga Libia.