DurrësLajm ka ndjekur në vijimësi problematikën e portit të ri të peshkimit, në të cilin duhet të ankoroheshin anijet e kësaj flote.
Arjan Xoxi është pronar i anijes së peshkimit “Luar”. Ai la emigracionin 6 vjet më parë dhe u kthye në vendlindje duke blerë një anije peshkimi. Por si sipërmarrës e konsideron veten të dështuar, për shkak se sipas tij asgjë nuk funksionon në këtë vend.
Pronari i anijes “Luar”, por edhe armatorë të tjerë të peshkarexhave tregojnë se nuk mund të hyjnë në port për shkak të gurëve të vendosur në kanalin hyrës. Vendosja e gurëve ka minimizuar edhe ankorimin e anijeve.
“Mjetet lundruese nuk mund të lidhen në gurë, anijet duhet të lidhen në bankina”,- pohojnë peshkatarët.
Porti i peshkimit është marrë në dorëzim nga drejtoria e peshkimit në Durrës.
Por pavarësisht kësaj, asnjë magazinë nuk është hapur për të pritur peshkun që mungon. Msgazinat e pritjes së peshkut nuk janë hapur asnjë ditë dhe nuk kanë funksionuar për qëllimin për të cilën u ngritën.
Në portin e ri të peshkimi nuk ka asnjë kusht minimal, që porti të funsionojë si i tillë. Energjia elektrike nuk është lidhur, uji i pijshëm e tualetet mungojnë.
Investimi shkoi deri në 20 milionë euro, të cilat janë marrë në formën e kredisë nga qeveria shqiptare dhe u paguhen me këste për 20 vjet bankave të huaja. Investimi ka dështuar e bashkë me të edhe pritshmëritë që peshkatarët e Durrësit të kenë një port peshkimi për flotën e tyre.
Për këtë shkak, në këtë port janë strehuar vetëm 20% e anijeve që përmban flota e peshkimit të Durrësit.
K.H.





