Komisioneri për zgjerimin, Oliver Varhelyi përmes një letre i është përgjigjur kryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj në lidhje me Portin e durrësit dhe  Durrës Marina Bay and Yacht që do të ndërtohet nga kompania “Symphonie real” me një vlerë prej 2 mld euro.

Komisioneri i Zgjerimit, Várhelyi, ka pohuar shqetësimin që Komisioni Europian ka në lidhje me zbatimin e MSA dhe standardeve të Bashkimit Europian.

Letra thekson se të gjitha prokurimet apo koncesionet, përfshirë dhe marrëveshjet mes shteteve apo palëve të treta duhet të ngrihen mbi parimet e transparencës, garës, trajtimit të barabartë dhe jo diskriminimit.

Letra e Komisionerit 

“Komisioni Evropian i kushton rëndësi të madhe përputhshmërisë me MSA-në dhe standardeve të BE-së. Kur bëhet fjalë për marrëveshjet ndërkombëtare me vendet e treta, qëndrimi i Bashkimi Evropian është i qartë dhe ai është thënë vazhdimisht, duke përfshirë edhe Këshillin e Stabilizim Asociimit që u zhvillua në Mars 2021.

Të gjitha instrumentet ligjore dhe financiare të përdorura në fushën e prokurimeve publike dhe koncesioneve, duke përfshirë edhe marrëveshjet e lidhura me vendet e treta për zbatimin e projekteve të përbashkëta, duhet të jenë në përputhje me parimet e transparencës, konkurrencës, trajtimit të barabartë dhe mosdiskriminimit. Komisioni është në konsultime të vazhdueshme me përfaqësuesit e qeverisë për prioritetet e investimeve. Sigurisht që ne i kemi ndjekur nga afër zhvillimet në lidhje me Projekti i Portit të Durrësit. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, aktivitetet e Portit të Durrësit janë planifikuar të zhvendosen në Porto Romano. Si rezultat i modifikimit në projekt dhe ndryshimi të përdorimit të Portit të Durrësit, Komisioni anuloi grantin e mbetur për investimin në këtë projekt specifik.