Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, njëherazi zv/kryeministrja Belinda Balluku tha se opozita po e përdor si “kalë beteje” projektin për portin e ri tregtar të Durrësit.

Ajo tha se kjo çështje nuk duhet kthyer në lojë politike.

Balluku theksoi se në Porto Romano nuk do të jetë vetëm zonë detare-tregtare, por do të jetë dhe një zonë militare, duke iu referuar projektit të prezantuar në NATO.

“Ju keni dëgjuar shumë mirë prej dy vjetësh që ajo zonë nuk do të jetë vetëm zonë detare-tregtare, por do të jetë dhe një zonë militare e cila është dizejnuar tashmë dhe ka një koordinim dhe ne e kemi njoftuar këtë publikisht pasi kemi bërë prezantimin në selinë qendrore të NATO-s. Kemi të bëjmë me aset publik që nuk mund të ndërtohet me PPP dhe nuk mund të jepet me koncesion palëve të tjera pasi është një aset kombëtar i një rëndësie të veçantë ashtu siç ka ndodhur dhe me asete të infrastrukturës kritike...

Jemi të keqardhur, ndihemi të shqetësuar që opozita përdor këtë projekt me strategji rajonale për ta kthyer në një kalë beteje pasi këtu preket interesi kombëtar, interesi i të gjithë shqiptarëve dhe nuk është një çështje për ta kthyer në lojë politike”, tha Balluku.