Automjete të ndryshme, të bllokuara nga dogana prej shumë vitesh, krejtësisht të plaçkitura dhe të ndryshkura, “dergjen” në port. “Dogana, si institucion përgjegjës, duhet t’u gjejë një vend dhe t’i largojë nga territori portual”,- thotë drejtori i APD-së Eduart Ndreu. Ndërkohë drejtori i doganës së Durrësit Jaçe Hysolli konfirmon se vetëm tani dogana mund të operojë, pasi ka ardhur për zbatim një VKM, sepse më parë nuk ka pasur një ligj që automjetet e sekuestruara në territorin doganor të largoheshin”

Pak muaj më parë varrezat e makinave të dala jashtë përdorimi kishin mbushur rrugët nacionale të Durrësit dhe jo vetëm. Asokohe vetëm në Durrës numëroheshin 32 varreza krejtësisht të pa licencuara që më së shumti ishin burim ndotjeje për rrugët nacionale. Me një akt normativ të datës 07.09.2011 qeveria shqiptare përcaktoi rregullat për vendgrumbullimet e makinave të dala jashtë përdorimit.

Ky vendim solli normalitetin e kërkuar dhe hoqi imazhin e keq që sillnin këto mbetje makinash. Por, kohët e fundit, një varrezë e re ka nisur të lulëzojë në territorin e portit të Durrësit. Është një varrezë e krijuar muajt e fundit dhe jo nga privatët por nga vetë institucionet shtetërore. Në këtë varrezë ndodh pothuajse gjithçka. Megjithëse nën vëzhgimin e kamerave të sigurisë portuale, në një “territor të sigurisë së lartë”, kujtdo që i bie rruga në port, mund të shkojë dhe të marrë pjesë nga makinat e sekuestruara.

Vajra të derdhur, dyer makinash të shqyera, pasqyra, apo pjesë të tjera që janë përhapur në gjithë këtë sipërfaqe. Demolimi i tyre bëhet në mjedis të hapur, ndërsa derdhja e lubrifikanteve është mjaft shqetësuese duke krijuar ndotje mjedisore. Por, përveç kësaj, kjo pjesë e portit është ngjitur me ish-kantierin detar, i cili në territorin e tij, ka hekurishte që importohen për skrap dhe e gjithë kjo krijon një imazh shumë të keq sidomos për sektorin e turizmit, në një nga portat kryesore të hyrjes të turistëve në vendin tonë.

Janë me qindra skelete makinash të hedhura pa asnjë lloj kriteri dhe pa asnjë lloj përgjegjësie. Varrezat e makinave kishim kohë që i kishim harruar, por këtu një e tillë po rritet përditë.

Të braktisura

“Varreza” përbëhet nga automjete të bllokuara në vite nga dogana e Durrësit. Të depozituara që prej shtatë apo edhe më shumë vitesh, ato janë zhvendosur kohët e fundit, prapa terminalit të kamionëve. Këto makina janë grumbulluar ditë pas ditë pak e nga pak, duke u transferuar në këtë vend, nga zona e terminalit të trageteve e cila është në rikonstruksion e sipër. Ishte kompania zbatuese, e cila kërkoi largimin e tyre nga sheshi i terminalit, përpara godinës së doganës, e cila prej vitesh kishte mbetur peng i makinave të bllokuara.

Makinat u zhvendosën nga sheshi i trageteve në të cilin ishin bllokuar dhe qëndronin të palëvizura prej vitesh. Automjetet, që pas çdo stine amortizoheshin, ishin braktisur nga pronarët e tyre. Forcat e sigurisë portuale që ruanin terminalin e trageteve nuk kanë kryer detyrën për ruajtjen e tyre duke i lënë këto mjete ne dorën e kujtdo.

Këtu gjenden rreth 500 automjete të llojeve dhe markave të ndryshme, kryesisht autovetura, por edhe furgonë e koka maunesh, madje nuk mungojnë as pedalierat e ujit që kanë muaj që qëndrojnë të parkuara në pjesën lindore të terminalit të kamionëve, pas Drejtorisë së Doganës. Makinat e bllokuara dhe të braktisura kanë dalë prej regjimit doganor.

Një pjesë e tyre janë bllokuar, pasi ishin pa dokumentacionin përkatës, që shërben për të vërtetuar pronësinë e tyre. Për shkak se ishin të detyruar të paguanin një taksë të lartë doganore, pronarët e tyre vendosën si zgjidhje më të mirë braktisjen e tyre.

Mungonte ligji

 

Gjatë sezonit të verës, sidomos në periudhën e pikut të zbarkimit të udhëtarëve në portin e Durrësit, doganierët bllokonin mesatarisht nga 5 deri në 7 makina në ditë për shkak të mungesës së dokumentacionit. Specialistët e doganës bëjnë me dije se ka 10 vjet që automjetet qëndrojnë brenda këtij territori doganor, për shkak të mungesës së një ligji, i cili do të mundësonte kalimin e tyre në rezervën e shtetit dhe më pas shitjen e tyre nëpërmjet ankandit.

Kohë pas kohe automjetet më të dëmtuara janë hequr dhe janë shitur për skrap. Por dogana përballet me një handikap, sepse automjetet e bllokuara nuk kalojnë dot tek rezervat e shtetit, ashtu sikundër ndodh me automjetet e bllokuara nga Policia e Qarkullimit Rrugor, e cila pothuajse çdo vit nxjerr në ankand makinat e bllokuara, ndërsa ato që janë të amortizuara i shet për skrap.

Kështu është vepruar çdo vit në pikën e bllokimit në Rrashbull, ndërsa nuk mund të ndiqet e njëjta procedurë edhe për makinat e bllokuara në doganë, pasi mungon kuadri ligjor që do të legjitimonte një gjë të tillë. Kodi doganor nuk ka parashikuar mënyrën e veprimit në raste të tilla dhe dogana nga ana e saj nuk di si të veprojë. I mbetet vetëm të zbatojë udhëzimin e fundit të qeverisë për pastrimin e territoreve nga mbetjet.

 Ky problem nuk është i ri, pasi përpara Hysollit në kohën kur doganën e drejtonte Arben Ibroja, janë larguar nga sheshi i trageteve disa dhjetëra skelete makinash, të cilat u bllokuan në kohë të ndryshme dhe që u katandisën në hekur për skrap, për shkak të mungesës së ligjit.

Nga të dhënat teknike që paraqesin automjetet e bllokuara konfirmohet se shumica e tyre do të shkojnë për skrap, pasi pjesët e tyre mungojnë sepse janë plaçkitur gjatë qëndrimit në territorin doganor.

 

EDUART NDREU

I kemi kërkuar Doganës t’i largojë

I pyetur për këtë çështje nga gazeta “Dyrrah”, drejtori i Autoritetit Portual të Durrësit, Eduart Ndreu, deklaroi se dogana i ka mbledhur të gjithë automjetet e braktisura në vite, që gjendeshin në territorin doganor, në një hapësirë pas vendit ku po ngrihet terminali i pasagjerëve. “I kemi kërkuar disa herë degës doganore me shkresa zyrtare që të largohen këto automjete, sepse nuk mund të qëndrojnë në atë territor. Dogana si institucion përgjegjës duhet t’u gjejë një vend dhe t’i largojë nga territori i Autoriteti Portual sepse janë bllokuar për llogari të saj”,- deklaroi Ndreu.

JAÇE HYSOLLI

Do të hapet tender për riciklimin

Jaçe Hysolli, kreu i Doganës së Durrësit, i pyetur nga gazeta “Dyrrah” tha mbi këtë çështje se,- “makinat pa pronarë e të braktisura në vite janë një problem shqetësues për të gjithë territorin e Portit të Durrësit. Udhëzimi i kryeministrit Berisha për pastrimin e të gjitha territoreve nga mbetjet, ka ardhur edhe në doganë dhe do të veprohet sipas ligjit, për largimin e tyre. Do të hapet një tender, që këto mjete të shkojnë për riciklim dhe të largohen nga zona ku janë vendosur përkohësisht. Shqetësimin e tij Autoritetit Portual e ka ngritur disa herë, por vetëm tani dogana mund të operojë, sepse më parë nuk ka pasur një ligj, që automjetet e sekuestruara në territorin doganor të largoheshin”,- tha Hysolli.

Kreu i doganës së Durrësit tha se është e pamundur të kontaktosh me pronarët e tyre, pasi ata i kanë braktisur mjetet vite më parë, dhe asokohe shkaku i bllokimit të automjeteve ka qenë mungesa e dokumentacionit apo mospagimi i detyrimeve doganore. Në këtë situatë të krijuar ka munguar një ligj, i cili do të mundësonte kalimin e tyre në rezervën e shtetit dhe kjo e fundit të organizonte ankande për shitjen e tyre.

Sipas tij, me ligj, automjetet dhe mallrat të cilat hyjnë në doganë, mund të qëndrojnë në territorin e saj 10 ditë; pas këtij afati nëse pronarët e tyre nuk paraqiten, nis procesi i sekuestrimit të tyre e kështu ka ndodhur me një pjesë të automjeteve. Dogana e Durrësit i ka dërguar Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave disa shkresa në të cilat i kërkohet hapësirë ligjore për largimin e këtyre mjeteve nga territori i saj. DPD-ja është duke përgatitur një projektligj për këtë çështje, i cili më pas do të kalojë në Parlament për miratim.

 

7 SHTATOR 2011

Berisha: Zhdukni varrezat e makinave

Kryeministri Berisha kërkoi kohë më parë marrjen e masave urgjente për pastrimin e territorit shqiptar nga grumbullimet e mbetjeve urbane dhe varrezat e makinave. “Ku të hedhësh sytë të dalin si kartolina turpi”, – është shprehur i shqetësuar kryeministri Berisha. “Zhdukni me shpejtësi kodrat e ndryshkut" – urdhëroi kreu i qeverisë duke shtuar se,- "nuk është normale, që një objekt tëndin ta braktisësh duke e bërë të dëmshëm për shëndetin e qytetarëve të tjerë”. Çdo varrezë makine e licencuar është e detyruar të vendoset 5 kilometra nga çdo aks rrugor kombëtar ose rajonal deklaroi kryeministri Sali Berisha. Duke u ndalur në pastrimin e territorit, Berisha theksoi se është e rëndësishme që të gjitha institucionet duhen të angazhohen në këtë proces në funksion të krijimit të një ambienti sa më të përshtatshëm për turizmin. “Kjo detyrë ka për qëllim ndryshimin rrënjësor të shpejtë dhe energjik të pamjes së këtij vendi, që shëmtohet në mënyrën më të pamerituar nga mijëra skelete makinash të hedhura në të katër anët e vendit, pa asnjë kriter dhe asnjë përgjegjësi. Kjo përbën paraqitjen më të keqe për miliona turistë që vijnë për të kaluar pushimet në Shqipëri”, u shpreh në atë kohë Berisha. Ai vlerësoi se një situatë si kjo në Shqipëri nuk gjendet në asnjë vend të Europës.