Një jetë si specialist në Portin e Durrësi për Ilir Rupin, drejtuesin e brigadës elektrike, ka qenë e mbushur me sakrifica të shumta dhe vështirësi profesionale. Por sot, pas 45 viteve kontribut të vyer profesional, për të porti është shtëpia e dytë.

“Porti është shtëpia ime e dytë” – thotë Iliri, i cili shtatorin e kaluar ka plotësuar 45 vite pune, thuajse që të gjithë në sektorin elektrik.

Që nga viti 1974, Ilir Rupi ka kontribuar në të gjitha ndryshimet e sistemit elektrik portual, por ai dallon sidomos periudhën pas viteve 1990, kur investimet shumëplanëshe sollën edhe modernizime në këtë sektor, por jo vetëm.

Me siguri, në të gjitha impiantet e montuara gjatë dekadave të fundit, për të nuk ka asgjë të panjohur, shkruhet në një postim të Autoritetit Portual Durrës në Facebook.

Me afro një gjysëm shekulli përvojë mbi supe, Ilir Rupi ka mbetur njëlloj modest dhe kërkues, ndërsa vlerëson shumë specialistët e rinj, që kanë përfunduar shkollat profesionale në Durrës dhe në Tiranë dhe që punojnë aktualisht në mirëmbajtjen elektrike.

Madje, kur i kërkojmë një foto pune, ai sjell një çast nga puna e përditshme me kolegun e ri, Eduard Bala. Bashkë me ditët e lumtura në pension, punonjësit e APD i urojnë Ilirit të mbetet njëlloj i ri në shpirt.