3 ditë pasi bëri publik projektin për portin turistik në Durrës, kryeministri Rama dha disa detaje për vendin se ku do të nisë faza e parë e implementimit të tij.
Gjatë vizitës në një pallat me dëmtime DS4 në zonën e plazhit, Rama, ndërsa hidhte vështimin drejt portit më të madh në vend, njoftoi se punimet pritet të nisin së pari në trekëndëshin mes portit dhe hapësirës së plazhit tek Ura e Dajlanit. Sipas tij, ky projekt do të rrisë vlerën e gjithë kësaj zone.
“Gjithë kësaj zone do t’i rritet vlera në mënyrë eksponenciale me investimin që fillon në fazën e parë pikërisht aty ku mbaron vargu i këtyre godinave. Do të nisë nga Ura e Dajlanit tek trekëndëshi që faktikisht është i vdekur midis kësaj pjese dhe pjesës funksionale të portit. E gjithë ajo zonë do të jetë një fuqi e madhe tërheqjeje për turizmin dhe motor ekonomik që do t’i rrisi vlerat të gjitha këtyre apartamenteve apo hoteleve që janë këtu, menjëherë sapo të fillojë investimi”,- tha Rama.
Kryeministri Rama tha gjithashtu se duhet përfunduar projekti për lungomaren e brendshme të plazhit të Durrësit “që këtu të bëhet një spektakël i vërtetë”.





