Dy vite më parë, ishte portieri spanjoll David De Gea, që teksa ishte i përfshirë në akuza për agresion seksual, sulmohej nga ish-kreu i opozitës spanjolle asokohe, Pedro Sançez.
Tashmë që Sançez është kryeministër i Spanjës, ai po përshëndeste ekipin kombëtar para aventurës për në Rusi, por mesa duket De Gea nuk i ka harruar fjalët e thëna në drejtim të tij.
Portieri i “djajve të kuq” ka mbajtur duart në xhep, edhe pse shokët e tij të skuadrës ishin rreshtuar dhe po duartrokisnin kryeministrin e ri të Spanjës. Një veprim ky që mediet spanjolle e kanë mbiquajtur “hakmarrja e De Geas”.
Udhëheqësi socialist, Pedro Sançez kritikoi portierin dy vite më parë, kur ai u implikua në akuza seksuale, akuza të cilat ai i kishte mohuar gjithsesi. Asokohe, Sançez thoshte në një intervistë se “nuk ndihej rehat me De Gean si portier të kombëtares spanjolle”.





