Teuta tanimë është zyrtarisht pjesë e superiores dhe për sezonin e ardhshëm, ku triumfoi ndaj një rivali direkt siç ishte Tirana. Ky sukses ndaj Tiranës u konsiderua tepër i rëndësishëm, edhe pse skuadra blu luajti, duke u mbrojtur mirë. Dhe në rastin e parë që i erdhi shënoi, por edhe mund të ishte ndëshkuar, nëse portieri Angelo Tafas nuk do ta kishte pritur penalltinë e Zharmunit. “Gardiani” elbasanas i portës blu, flet për atë moment, ku ai rezultoi vendimtar për skuadrën, për ndeshjen e së dielës me Egnatian dhe ecurinë e Teutës. Tafas ka munguar vetëm në tri ndeshje të këtij kampionati për shkak të një dëmtimi muskulor.

Angelo, merrni tri pikë ndaj Tiranës dhe zyrtarisht shpëtoni sezonin?

Jam shumë lumtur për këtë sukses tonin, pasi djersa dhe mundi i djemve nuk shkuan dëm. E merituam këtë fitore, pasi ishim më të qetë se kundërshtari dhe u treguam cinikë në momentin e duhur. Nuk ka rendësi loja e bukur, ajo që vlen ishte fitorja dhe jam i lumtur për të gjithë shokët.

Angelo, si e përjetuat momentin e penalltisë së pritur me Tiranën, që rezultoi vendimtare për atë ndeshje?

Ishte një moment vërtet i gëzueshëm për mua personalisht, por edhe për gjithë ekipin. Pritja e penalltisë rezultoi vendimtare në atë ndeshje. Kemi marrë një trepikësh në atë transfertë, që na shpëtoi.

Cili është “sekreti” i një portieri te penalltitë, nëse mund të na e tregoni?

Sekreti, për mendimin tim, qëndron te parapërgatitja që mund të bësh, te studimi i lojtarëve të ekipit kundërshtar përpara ndeshjes. Këtë gjë te Teuta e bëjmë bashkë me trajnerin e portierëve, Bledian Rizvani, dhe kolegun tjetër, Vata.

Cili është çelësi i suksesit që kjo Teutë ka shumë harmoni brenda saj?

Ne jemi një ekip që kemi ecur përpara si grup dhe do të ecim si grup. Nuk kemi një lojtar që na bën ta humbasim apo ta fitojmë ndeshjen. Kemi qenë të përqendruar. Kemi kualitet, si përpara, si mbrapa, për të bërë më shumë, për të bërë rezultat dhe ta mbrojmë rezultatin. Vlerat tona i dimë dhe i treguam.

Sezonin e mbyllni në shtëpi ndaj Egnatias?

Do të jetë një ndeshje ku si ne, edhe Egnatia, i kemi arritur ato objektiva që kishim. Unë besoj se përpos kësaj, do të jetë një ndeshje e bukur për t’u shijuar, pasi të dyja skuadrat janë pa presionin e pikëve