Lista e përfaqësues shqiptare për ndeshjet miqësore ndaj Republikës Çeke dhe Uellsit ka kthyer në vëmendjen e trajnerit Edi Reja lojtarët e kampionatit shqiptar, por jo emrat që pritnin të gjithë.
Ndërsa priteshin lojtarë të spikatur të këtij sezoni si Gurishta, Bregu, Asani apo edhe Frashëri sa për të përmendur disa, asnjë prej tyre nuk është ftuar nga tekniku.
Ai ka afruar Sherrin e Harizajn në portë, e pikërisht kjo zgjedhje ka lënë hapësira për shumë diskutime. I pakënaqur nga mungesa e një ftese të merituar si portieri më i mirë në Superiore në këtë edicion, pasi ka ruajtur portën e paprekur për më shumë ndeshje, Stivi Frashëri ka postuar në rrjetet sociale statistikat e tij me një thumbim të qartë drejtuar stafit të kombëtares.
“Statistika të mira e kujt po i bëhet vonë? Sot diferencën e bën miku”, shkruante portieri i Teutës i cili në këtë sezon ka pësuar vetëm 16 gola e ka ruajtur të paprekur katërkëndorin në 22 takime.





