Pano Qirko është kthyer përsëri në fushën e lojës me skuadrën e Teutës duke lënë pas dëmtimin dhe menjëherë ka ndihmuar ekipin që të sigurojë një rezultat pozitiv. Durrsakët barazuan ndaj Bylisit dhe pritjet e Qirkos ishin vendimtare për të marrë një barazim që mund të shërbejë për moralin, siç pranoi edhe vetë lojtari pas duelit.
“Të them të drejtën kam pasur një dëmtim në kofshë dhe me vjen mirë që jam kthyer të luaj sërish dhe të bëj një ndeshje pozitive.Te pritja e Antoni Beji ishte e vështirë për një portier, por të gjitha janë të rëndësishme se ndikojnë te rezultati. Për portierin është e rëndësishme të mbajë portën zero mbrapa dhe kjo është punë e tij.
E gjithë skuadra është nën presion rezultati dhe kjo ndikon shumë te performanca jonë. Them se me pak fat edhe mund të kishim fituar, por ne punojmë. Kam fatin që kam trajner si Rizvani e Shkëmbi që punojmë shumë e rrimë pas stërvitjes me seanca për golat. Por është edhe çështje fati, shpresojmë nga dita në ditë të përmirësohemi. Kemi edhe 10 ditë kohë që të fillojmë e të përgatitemi seriozisht për ndeshjen e radhës dhe të marrim fitoren.
Kemi folur me njëri-tjetrin, është bashkimi që bën fuqinë. Jemi të bashkuar e motivuar me këtë rezultat në një fushë të vështirë dhe do të ndikojë pozitivisht për të ecur para. Duke ecur bashkë shpresoj që të arrijmë atë që duhet, të fitojmë dhe të ikim nga renditja ku jemi tani”, theksoi Qirko.