Transferta me Kukësin është një mundësi e mirë që Teuta të marrë 3 pikët për t’u larguar nga zona e rënies nga kategoria. Elton Vata, portieri i afruar verën e kaluar te skuadra durrsake dhe tashmë një kyçe në formacionin e trajnerit Martini, e sheh me optimizëm këtë pjesë finale të kampionatit. Vata shprehet se Teuta e ka detyrim të kthehet me fitore nga Kukësi këtë fundjavë.
Vata, sa ju ka vlejtur ai barazimin ndaj Vllaznisë në ndeshjen e fundit?
Barazimi nuk ishte ajo që prisnim kundër Vllaznisë, në planet tona ishte fitorja, por tashmë ajo ndeshje ka kaluar. Pretendonim më shumë se 3 pikët. Tani duhet të shohim përpara për të bërë më të mirën në secilën nga 4 ndeshjet që kanë mbetur.
A është gati Teuta për sfidën me Kukësin?
Mendojë që po. Jemi gati, duhet të luajmë një ndeshje të mirë dhe duhet të fitojmë për objektivin tonë. Po ashtu, Teuta duhet të tregojë se është një ekip me dëshirë dhe grintë.
Në aspektin personal, po bëni një paraqitje të mirë më Teutën. Si ndiheni?
Jam duke bërë vetëm detyrën. Dua të them që fal punës së mirë që bën trajneri Rizvani jam këtu, në një formë të mirë. Ai është kërkues në çdo moment dhe ndihem mirë që po ndihmoj ekipin.
Me çfarë objektivi shkoni në Kukës, a do të kënaqeshit me një barazim?
Kur luajnë dy ekipe rivale, çdo gjë është e mundur. Do të japim maksimumin tonë dhe shpresojmë të marrim më të mirën. Në futboll asnjëherë nuk i dihet, janë tre rezultate në lojë, por ne do të hyjmë në fushë vetëm për fitore.
Kush mendoni se mund ta bëjë diferencën në ndeshjen ndaj Kukësit?
Diferencën do ta bëjë fryma e grupit, sepse ky është faktor e ka bërë Teutën të ecë përpara. Teuta e ka treguar dhe më parë se nuk ka pasur ndonjë individ me cilësi të jashtëzakonshme. Shpresoj të vazhdojmë kështu, me frymën e grupit, duke mbështetur njëri-tjetrin. Së pari na duhet të marrim 3 pikët në Kukës dhe pastaj të sigurojmë pa problem qëndrimin në Superiore.