5 shkurt 2015 –  Afrim Ademit, ish portierit të Trepçës dhe Hysit, i ka ndodhur diçka e jashtëzakonshme në një burg në Hungari, ku ishte ndaluar duke kaluar ilegalisht kufirin. I lodhur nga futbolli dhe jeta në Kosovë ai u largua drejt shtetit hungarez, ku qëndroi 30 ditë në burg dhe ku u martua.

Në një prononcim për gazetën Tribuna, ai fillimisht një pjesë të fajit ia hedhë Federatës së Futbollit të Kosovës, që pengoi transferimin te Llapi. "Pakënaqësia ime filloi nga momenti kur Federata ma ndalonte kalimin nga Trepça te Llapi. Është e vërtetë që klubi nuk më lejonte të largohesha, por një gjë e tillë erdhi pikërisht pas asaj rregulle të Federatës. Mitrovicën e kisha larg dhe u mërzita shumë duke udhëtuar. Për një moment vendosa që të nisem drejt Hungarisë", është shprehur Ademi për "Tribunën".

Për të mbërritur në Suboticë, ai i ka ndërruar dy autobusë, ndërsa kufirin e ka kaluar në këmbë. "Kam qenë me të dashurën time. I kemi ndërruar dy autobusë për të mbërritur në Suboticë. Jam afruar me taksi deri në pikën kufitare, ndërsa atë e kam kaluar në këmbë", vazhdoi Ademi. E pabesueshmja që s’e kanë menduar kurrë çifti Ademi, ndodhi në Hungari.

Aty u kapën nga Policia hungareze dhe u mbyllën në burg, ku edhe u martuan. "Në Hungari na zunë dhe na mbyllën në burg. Aty qëndruam për 30 orë. Deshën të ndajnë, por unë iu tregova që e kam të dashur. Më thanë që nëse duam të qëndrojmë bashkë, duhet ta nënshkruajmë një letër. Ajo ishte një llojë martese dhe ne prej asaj dite e konsiderojmë veten të martuar", shprehet Ademi. E pasi e lëshuan nga burgu, ai ia mësyu Gjermanisë, ku doli me të njohshëm.

"Në Gjermani dola me të njohshëm. Tani jemi në një banesë, ku ka shumë azilantë. Të gjitha shpenzimet i kemi të hequra, ndërsa na kanë dhënë edhe nga 140 euro për person". Zëri i mërzitur i Ademit jep një mesazh për futbollistët kosovar.

"Punoni, punoni dhe provoni të dilni në mënyrë legale jashtë", përfundoi Ademi, i cili ka qenë pjesë e Hysit, kur kjo skuadër e kishte fituar titullin kampion në vitin 2010.