Nga Mila Ballhysa

Dy porte fqinje, dy qytete me histori të lashtë, por një sezon turistik krejt ndryshe në dy brigjet e Adriatikut.

Sot, referuar mediave lokale të Barit, në portin italian janë ankoruar 3 anije krocera, me 5000 turistë në total.

Në portin e Durrësit, vizita e fundit e një anije krocerë është 30 maj, kur mbërriti “La belle del’Adriatique”, duke iu referuar faqes zyrtare të Autoritetit Portual Durrës, sepse gazetarët lokalë dhe korrespondentët e medieve qendrore kanë vite që nuk njoftohen dhe lejohen të filmojnë në port mbërritjen e krocerave apo të mund të intervistojnë turistët e huaj.

Në portin e Barit nuk është hera e parë sot (datë 23 korrik) që mbërrijnë 3 krocera njëherësh. Është hera e katërt për këtë sezon, pasi tre anije të mëdha turistike njëherazi janë akostuar në portin e vendit fqinjë në datat 3, 11 dhe 25 qershor. Ndërsa 1 apo 2 krocera në ditë që mbërrijnë në Bari nuk po i llogarisim fare në këtë shkrim.

Një sezon krocerash rekord e kanë cilësuar sot autoritetet portuale bareze, sezonin e këtij viti.

5000 turistë vetëm në një ditë dhe vetëm nëpërmjet krocerave, kurse në Durrës mbërrijnë mesatarisht 10 mijë turistë në javë, shifër kjo e deklaruar një ditë më parë nga kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, gjatë takimit që kryeministri Rama zhvilloi me kryetarët e bashkive.

Propaganda jonë kryeministrore nxiton të reklamojë në rrjete sociale mbërritjen në portin e Durrësit të jahtit të miliarderit Jan Koum, themeluesit të Whatsapp, që nuk solli asnjë turist, por vetëm u furnizua me naftë pa akcizë dhe iku në punë të vet.

Në Bari, fotot me 3 krocerat gjigande të ankoruara në port nuk kanë nevojë për shumë koment.

Këtë sezon veror, për hir të së vërtetës, e ka vizituar portin më 8 korrik, veliera luksoze “Sea Cloud” që solli në Durrës 50 turistë.

50 turistë në Durrës kundrejt 5000 të tillëve në Bari. 100 fish më pak!!!

Një ditë më parë, kryeministri Rama postonte në rrjete sociale këtë foto artistike nga Kepi i Rodonit, ndërsa mediat italiane publikojnë foto nga moria e turistëve të huaj që zbarkoi në portin e Barit këtë të shtunë.

Durrësin një vit më parë e kanë vizituar më shumë se 324 mijë vizitorë, duke iu referuar shifrës së bërë publike një ditë më parë nga kryetarja Sako.

Një shifër që autoritetet e konsiderojnë të suksesshme, por kjo nuk vjen si pasojë e punës së mirë të autoriteteve, por pjesa më e madhe falë turizmit patriotik të shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, që Durrësin nuk e kanë braktisur as në sezonet më të këqia, kur pallatet e dëmtuara nga tërmeti trembnin ende vendasit, e jo më pushuesit, apo kur pandemia Covid-19 frikësoi shumë turistë të na vizitonin.

Nuk duhet harruar këtu as puna mjaft e mirë e bërë nga operatorët turistikë në Durrës e Golem që falë përkushtimit kanë sjellë vitet e fundit mijëra turistë nordikë, çekë, polakë etj në resortet e ngritura përgjatë vijës sonë bregdetare.

Shifra e sotme e turistëve me krocerë që kanë mbërritur në Bari do të mjaftonte të hidhte tuç në tokë propagandën boshe dhe të dalë boje qeveritare, që llogarit si turist çdo shtetas të Kosovës që kalon traun e doganës dhe çdo emigrant shqiptar që kthehet të takojë familjen në atdhe.

Turizmi elitar i 3 krocerave në Bari (Aida Blu, Costa Pacifica, MSC Musica) nuk mund të krahasohen me mijëra pushues me bukë, domate e shalqi, që popullojnë shumë nga plazhet tona.

Deklaratave pompoze për ndërtimin e portit turistik 2 miliardë euro të miliarderit arab Mohamed Alabbar (kot për kuriozitet ku ka humbur ai!), që do niste punën pranverën e këtij viti e që do ta kthenin Durrësin në konkurent të denjë me Montekarlon e Monakos dhe Dubain e sheikëve u kundërpërgjigjen shifrat reale të krocerave në portin më të madh në vend përgjatë 7 muajve të parë të këtij viti, vetëm 8 të tilla.

Përtej strategjive konkrete që do t’i jepnin zhvillim turizmit dhe do të orientonin tur-operatorët dhe operatorët turistikë për të qenë më kompetitivë në treg, kryeministri del e kritikon në sezon veror ata të plazheve të jugut se kanë rritur çmimet!!!

Ndërsa ministrja e turizmit del në rrjete sociale e na tregon si duhet mbledhur kanaçja nga toka e si duhet hedhur në kosh.

Bari nuk është qyteti më turistik i Italisë (madje nuk renditet as ndër të parët), por ka një port goxha të zhvilluar, ka linjë hekurudhore, një mori me linja urbane, metro, tramvaj, madje dhe aeroport.

Durrësi është qyteti më i madh turistik i Shqipërisë, por ka një port me një basen “lumor” me thellësi 7.5 metra, nuk i punon më hekurudha, ndërsa në urbanë “plas derri” nga vapa.

Në portin e Barit turistët priten nga personel i specializuar që u jep të gjitha informacionet e nevojshme mbi qytetin, por edhe i ofron degustimin e produkteve dhe specialiteteve të zones për t’ua bërë sa më të ngrohtë mikpritjen.

Në Durrës, turistët elitarë të krocerave përballen me vinçat e ngarkim shkarkimit sapo anija turistike nis të ankorohet në kalatë.

Përpara se të na flisni për vizionin e Durrësit si Dubai, na e bëni minimalisht të krahasohet me shifrat e Barit gjatë sezonit veror.