Banorët e Porto Romanos kanë ngritur zërin ditën e sotme për shqetësimin e vazhdueshëm që ata kanë me tërheqjen e mbeturinave urbane dhe ndotjen mjedisore që shkakton kanali i ujërave të larta.
Situata bëhet më problematike në këto ditë të nxehta vere me temperatura rekord.
Të indinjuar nga indeferenca e autoriteteve ata thonë për “DurrësLajm” se megjithëse prej kohësh kanë depozituar ankesat në institucionet e pushtetit vendor, asnjë masë nuk është ndërmarrë për të ofruar zgjidhje konkrete për këtë zonë.
Të vendosur prej vitesh në periferi të Durrësit, megjithëse janë tatimpagues të rregullt nuk u ofrohen as shërbimet më bazike.
“Banorët e Porto Romanos në radhë të parë njëherë për ujin e pijshëm, po pijmë mbeturinat, në radhë të dytë kanali dhe mbeturinat që po i sjellin këtu dhe rruga. Bizneset sjellin mbeturinat këtu , ska pse ti sjellin këtu, biznesi ti marr me makinë dhe ti çojë ku të dojë plehrat.”
“Kjo është një katastrofë që nuk ka bërë vaki që jo në lagje të Durrësit por në një lagje më të largët të Shqipërisë, nuk besoj që ka në ndonjë vend, sepse nuk ka interesim për banorët që banojnë këtu të cilët janë tatimpagues të rregullt. Kjo është një fatkeqësi e madhe për ne si banorë por edhe për shtetin që na trajton. Këtu në këtë vend me Prefektin kemi bërë gjith ato debate, për kanalin, që vjen “kartoni” dhe hedh mbeturinat.”
“Neve kemi dy muaj që ankohemi, u bënë votimet na lanë pas dore, këtu nuk hiqen plehrat. Nuk e shikon ai kryeministër që ne po e bëjmë problem. Shteti të marr masa se këtu është shumë keq. Këtu janë njerzit e urtë nuk dalin,”- shprehen disa nga banorët e zonës.
E gjithë kjo zonë ndodhet rreth 1 km larg EkoParkut, ku deri një vit më parë ngrihej vend depozitimi i mbetjeve urbane të Durrësit.
“I hoqën plehrat nga aty për të na i sjellë këtu”,– ankohen banorët, të cilët i kërkojnë kryeministrit Rama të kthejë vëmendjen nga kjo zonë periferike e bashkisë Durrës.