Tiranë, 2 shtator 2014 – Portugalia nis të martën në mëngjes grumbullimin për të përgatitur sfidën elimenitore të Euro 2016 ndaj Shqipërisë, sfidë e vlefshme për Grupin I. Sipas të përditshmes luzitane “Abola”, trajneri Paulo Bento ka patur nën urdhërat e tij të gjithë futbollistët e thirrur, edhe pse mungesat janë të mëdha. Në qytetin e vogël të Obidos, ish-trajneri i Sportingut të Lisbonës kërkon të përgatisë djemtë e tij në qetësi dhe larg vëmendjes mediatike. Kjo nisur edhe nga fakti që skuadrës portugeze do t’i mungojë ylli i saj, Cristiano Ronaldo, por gjithashtu edhe emra të tjerë të rëndësishëm si Beto, Bruno Alves, Ruben Amorim, Helder Postiga, Hugo Almeida dhe Varela, futbollistë që ishin pjesë e skuadrës në Botërorin e Brazilit.
Përfaqësuesja luzitane është bashkuar të martën në mesditë teksa pjesë e ekipit janë edhe të rinjtë premtues Ruben Vezo, Pedro Tiba dhe Ricardo Horta. Pak ditë më parë, kur publikoi dhe listën e futbollistëve për sfidën me kuqezinjtë tanë, trajneri Paulo Bento bëri të ditur se pret një ndeshje të vështirë, duke kujtuar paraqitjen e kuqezinjve tanë në sfidën eliminatore të Botërorit ndaj Zvicrës.
Gjithashtu në vëmendjen e numrit një të stolit luzitan është edhe dueli direkt i 2010-tës, ku edhe pse në fushë ishte Cristiano Ronaldo, Portugalia nuk shkoi më shumë sesa barazimi me gola, teksa kuqezinjtë e mbyllën sfidën me 10 futbollistë pas kartonit të kuq të mbrojtësit Teli.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





