Portugali, 5 shtator 2014 – Mesfushori portugez Luis Nani, një prej “veteranëve” të kësaj kombëtareje me 78 ndeshje të luajtura, mund të jetë kapiteni i luzitanëve në ndeshjen e së dielës kundër Shqipërisë. 27-vjeçari, ashtu si shokët e tij të skuadrës, duket se pret një ndeshje të vështirë ndaj kuqezinjve të De Biazit, të cilët i parashikon të luajnë një lojë mbrojtëse.
“Është e rëndësishme të fitojmë, për tifozët që gjithmonë kanë besuar te ne. Kemi pasur momente të vështira, por ky është një edicion i ri dhe do të bëjmë më mirë se në Botëror. Luajmë në shtëpi dhe gjërat mund të shkojnë mirë, por nuk dimë me saktësi se si do të paraqitet kundërshtari, nëse do të qëndrojë gjatë gjithë kohës në mbrojtje. Kemi pasur më parë probleme të njëjta me ekipe të tilla, që rrinë vetëm në mbrojtje dhe ne gjithmonë në sulm, ndërsa në fund të ndeshjes e pësojmë me kundërsulme”, tha Nani.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





