·        Flet kapiteni i rimorkiatorit “Adriatiku” Petrit Cila: Ja si nuk e lamë tragetin të përplasej në bregun shqiptar

Nga Shefqet Kërcelli

DURRËS, 3 shkurt 2015 –  Po kalon një muaj nga tragjedia e tragetit “Norman Atlantic” dhe jehona e këtij aksidenti të rrallë detar ende nuk është shuar, pasi në brigjet matanë Adriatikut vazhdojnë ende analizat dhe hetimet për shkaqet që cuan në këtë ngjarje të pazakontë. Por ajo që më shqetësoi të sjell në vëmendjen e opinionit publik durrsak e më gjerë është mungesa e vëmendjes nga mediet tona për kontributin real që dhanë rimorkiatorët (RM) e kompanisë së Mjeteve tona Detare në parandalimin e pasojave që mund të sillte një përplasje e tragetit “Norman Atlantic” në çdo segment të bregdetit shqiptar.  Është fakt që si drejtuesit e kësaj kompanie të suksesshme shqiptare ashtu dhe kapitenët e ekuipazhi i rimorkiatorëve janë modestë dhe të rezervuar për të folur për ndihmën konkrete që dhanë në këtë ngjarje, e cila mund të kishte marrë përmasa të jashtëzakonshme për bregdetin tonë. Tabloja e mjeteve që morën pjesë në këtë operacion detar është gjysmake pa pasqyruar punën dhe vështirësitë me të cilat u përballën detarët e RM “Adriatiku”.

NISJA

Sipas detyrës, që morëm nga drejtuesit e kompanisë, u nisëm më datën 29 dhjetor 2014, ora 10.30 nga porti i Durrësit, tregon kapiteni i RM “Adriatiku” Petrit Cila. Deti ishte 5-6 ballë dhe era V-VP-VL. Në orën 16.30 të kësaj dite ne ishim një milje larg tragetit të djegur, i cili ishte braktisur rreth 4 milje nga veriu i Sazanit dhe po kaq nga jugu i derdhjes së Vjosës. Në vendngjarje ishim 4 rimorkiatorë italianë e grekë dhe dhe 2 shqiptarë. Ndërkohë  kapiteni i anijes “Lissus” na konfirmoi faktin që trageti ishte i braktisur dhe era e fortë po e conte drejt brigjeve shqiptare. Rreziku ishte permanent. Krahas zjarrit, trageti mund të sillte një ndotje të paparë, bashkë me të dëmet ekologjike. Ne u ndodhëm atje në kohën dhe vendin e duhur, thotë kapiteni.

CIMA

Ishte gjë e mirë që ata kishin lënë një cimë në bash dhe një cimë në kiç, thotë marinari Gjergj Bicaj. Tragetet dhe anijet e tjera italiane dhe greke, që ndodheshin në rajon, nuk mund ta kapnin cimën, pasi nuk mund ti afroheshin “Norman Atlantic”, kështu që kjo barrë i ngeli RM “Adriatikut”. Aty detarët tanë të sprovuar Gjergji, Shpëtim Brahimaj, arritën të kapin cimën dhe ta lidhin tek kallumi i “Adriatikut”. Bëjmë të pamundurën për kapjen e cimës në bashin e anijes. Nga kjo orë e në vazhdim trageti u mbajt i sigurt nga RM ynë. Ne e mbajtëm tragetin me kujdes. Hidhnim ujë për të ruajtur cimën të mos digjej. 48 orë tension, ankth, përballje me valët e egra të detit. E njëjta situatë vazhdoi deri më datë 31 dhjetor 2014.  

PESHA KRYESORE

Kështu tragetit “Norman Atlantic”, i lënë në mëshirë të fatit, i doli zoti rimorkiatori ynë, thotë kapiten Cila. E mbajtëm për dy ditë të karikuar, duke u krijuar mundësi mjeteve të tjera të hidhnin ujë e të manovronin lirshëm. Ndërkohë RM “Adriatiku” hidhte ujë në traget dhe cimë për të mos e lejuar atë të digjet. Kështu ekuipazhi i RM “Adriatiku”, i përbërë nga kap. Petrit Cila, oficer Alban Hoxha, k/mekanik Ilir Duka, elektricist Ali Guci, mekanikët Kledi Hamiti dhe Ervis Tonuzi, si dhe marinarët Gjergji Bicja dhe Shpëtim Brahimaj, sakrifikoi shumë në këtë aksident detar. Rimorkiatori “Adriatiku” mbajti peshën kryesore në këtë operacion të vështirë. Ekuipazhi i tij e mbajti të lidhur tragetin për dy ditë, në çdo çast merrnim urdhrin: “mos e lëshoni!” Dhe ne nuk e lëshuam atë deri në orën 10.00 të datës 31 dhjetor 2014, kur deti ra dhe erdhën rimorkiatorët nga Italia, si kofini mbas të vjelit.

DY QËNDRIME ITALIANE

Nga që kishte zjarr dhe s’ afroheshin dot ditën e parë, pastaj kur e morën me det të qetë, italianët na thanë pse erdhët, thotë elektricisti Ali Guci. Me përpjekjet e përkushtimin tonë ne bëmë që nata e ndërrimit të viteve mos sillte lajm të keq për tre popujt fqinj, veçanërisht për shqiptarët, shprehen detarët e “Adriatikut”.

Ndërsa autoritetet e anijeve ushtarake na falënderuan, drejtuesit e mjeteve civile nuk denjuan të thonë një fjalë mirënjohjeje. Por operacionin tonë humanitar e vlerësoi mbarë opinioni në dy brigjet e Adriatikut, pavarësisht kush i mori lëvdatat. Në fund të fundit, sakrificat e ekuipazhit tonë i di zoti, thotë kapiten Petriti, ne zbatuam një detyrë të autoriteteve shqiptare, pasi trageti ishte brenda ujërave tona.

Teksa shohim dhe cimën e mbledhur të tragetit “Norman Atlantic” në kiçin e RM “Adriatiku”, ndjehemi krenarë me këta njerëz fisnikë e guximtarë, që rrezikuan jetë e tyre për të shpëtuar jetë të tjera. Por nuk është ky rasti i parë që rimorkiatorët e kompanisë së Mjeteve tona Detare marrin pjesë në operacione të tilla, ata dhe herë të tjera kanë marrë pjesë në operacione kërkim-shpëtimi, krahas institucioneve shtetërore, duke shkruar kështu historinë e tyre të ndritur në detarinë shqiptare. Dhe këtë histori të shkruar mbi dallgët e detit e bëjnë kapitenë të zotë si Petrit Cila, mekanikët e marinarët e zotë të këtyre mjeteve, lavdia e transportit tonë detar. Dikush mund të thotë: “vonë folët për këta detarë!”. Por, më mirë vonë se kurrë, për të plotësuar boshllëkun mediatik të krijuar nga fatkeqësia detare e “Norman Atlantic” dhe për të evidentuar kontributin e mjeteve tona detare, një aset me vlerë për ekonominë dhe transportin tonë detar.

/red. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/