Një javë para vizitës së Atit të Shenjtë / Shtypi ishullor: Marina britanike jep spektakël force në Kepin e Palit, në stërvitjen për kapjen dhe asgjësimin e grupeve terroriste në godina, “guerileve të armikut”
DURRËS, 18 shtator 2014 – Kështu mposhten “guerilet e armikut – enemy guerrillas” dhe grupet terroriste, trupat britanikë dhe shqiptarë, duke shfrytëzuar terrenin dhe objektet e bazës së Kepit të Palit demonstruan fazën finale të zbarkimit të trupave nga mjetet detare në tokë, kapjen dhe asgjësimin e grupeve terroriste në godina; kjo ka ndodhur një javë para vizitës së Papa Françeskut në Tiranë, teksa në veri të qytetit të Durrësit u zhvillua një stërvitje kurorëzuese e fazës së parë të stërvitjes së përbashkët shqiptaro-britanike “Albanian Lion- Luani shqiptar – 2014”.
SPEKTAKËL PARA NJË AUDIENCE SHUMËKOMBËSHE
Stërvitja e përbashkët shqiptaro-britanike në Bishtin e Pallës, e zhvilluar më 13 shtator 2014 (shih dhe “Dyrrah”-un: http://www.durreslajm.com/politike/durr%C3%ABs-nishani-dhe-kodheli-%E2%80%9Cvizitor%C3%AB-t%C3%AB-shquar%E2%80%9D-n%C3%AB-bisht-pall%C3%AB-foto), në prani të “vizitorëve të shquar” (Nishani, Kodheli, Canon etj.), ka shkaktuar jehonë dhe 5 ditë më pas, veçanërisht në mediet britanike.
Ndërkohë që flitet dhe për problemet e sigurisë së vizitës së Atit të Shenjtë në Shqipëri, mediet britanike deri dhe portali i Marinës Mbretërore flasin për stërvitjen në Bishtpallë të Durrësit, ku “trupa të të dy vendeve zbarkuan në plazhet në gadishullin e vogël të Kepit të Palit në Shqipëri, me objektivin për të rimarrë zonën nga “guerilet e armikut” (troops from both countries landed on beaches at the Kepi i Palit peninsular of Albania, with the objective to reclaim the area from “enemy guerrillas”)”.
Një shkrimi nga Durrësi gazeta “Plymouth Herald” i kishte vënë titullin domethënës: “Marina britanike e Plimuth-it jep spektakël force – në Shqipëri (Plymouth Royal Marines deliver a show of force – in Albania)”: “Marinsat britanikë dhanë një spektakël të vërtetë force që i drejtohej një audience shumëkombëshe (to a multi-national audience)”; në fakt, në Bishtpallë kishte vetëm audiencë dykombëshe/ binational, britanike-shqiptare.
Por “gafa” multi-national audience zbërthen “kodin” për opinionin publik ndërkombëtar, sidomos për grupet terroriste, komentojnë në qarqe diplomatike perëndimore të Tiranës.
Po ashtu në medie të ndryshme vihet në dukje fakti se trupat britanikë dhe shqiptarë, duke shfrytëzuar terrenin dhe objektet e bazës së Kepit të Palit, demonstruan fazën finale të zbarkimit të trupave nga mjetet detare në tokë, kapjen e kryeurës nëpërmjet mjeteve të blinduara dhe forcave speciale, kapjen dhe asgjësimin e grupeve terroriste në godina, etj. (shih fotot që shoqërojnë shkrimet në mediet anglishtfolëse).
MBI 600 MARINSA DHE 1.500 MARINARË, USHTARË DHE AVIATORË
Ende bota mediatike shqiptare, që shquhet për karakterin e saj sipërfaqësor, nuk ka kuptuar asgjë nga prania britanike e sivjetshme në stërvitjen e përbashkët të të dy vendeve të NATO-s “Albanian Lion- Luani shqiptar – 2014”.
Ndërkohë që mjetet e komunikimit masiv të Britanisë japin dhe japin pa pushim anën numerike dhe cilësore të trupave britanikë: mbi 600 marinsa dhe 1.500 marinarë, ushtarë dhe aviatorë nga Grupi i Task Forcës së Reagimit i Britanisë (RFTG – Response Force Task Group), ku bëjnë pjesë skuadriljet mësymëse-desantuese nr. 4 dhe 539 nga Plimuth-i, skuadriljet nr. 736 dhe 820 nga baza ajrore e Marinës Mbretërore Culdrose dhe komandoja nr. 40 (batalion) nga Tontën-i (Taunton), të pajisur dhe me helikopterë Çinuk (Chinook – CH47) të helikoptermbajtëses së vetme të klasit HMS Ocean si dhe me katra desantues amfibë LCU dhe LCVP për transportimin e trupave dhe teknikës nga anijet në breg.
KOINCIDENCË
Ambasadori britanik në Shqipëri SHT Nicholas Cannon OBE (Order of the British Empire – Urdhri i Perandorisë Britanike), po më 13 shtator 2014, deklaroi se “kjo stërvitje sjell elementë të rinj dhe zhvillohet në terren tjetër nga ai i vitit të kaluar”.
Si për koincidencë, fill pas stërvitjes në Durrës, Vatikani konfirmoi se vizita e Papës Françesku nuk paraqet probleme sigurie.
Bie në sy fakti që koordinatori kryesor i mbështetjes logjistike të stërvitjes “Albanian Lion ‘14” dhe “Dragon Hammer ‘14”, kapiten Mark Peterson bëri një vizitë zyrtare në ambientet Policisë Ushtarake, i cili, në emër të komandantit të Brigadës së Tretë të Marinsave Mbretërorë, gjeneral brigade Çarls Fiklend (Charles Fickland), shprehu falënderimet për kontributin e dhënë nga Policia Ushtarake në stërvitje për sigurimin dhe shoqërimin e trupave britanikë nga pikat kufitare hyrëse për në rajonet stërvitore, sigurimin e rajoneve të dislokimit të trupave dhe mjeteve britanike në Pashaliman, Porto-Palermo, Kepi i Palit, në bazën Ajrore Kuçovë, Rinas, Bizë dhe Porti i Durrësit.
Këto ditë në rrugët e Tiranës janë parë të shëtisin ushtarakë britanikë…
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





