Një ditë më parë, efektivët e policisë së Durrësit u tronditën nga vetëvrasja e koleges së tyre, 23-vjeçares Peranxhela Shahini, në shtëpinë e saj në Katund Sukth në Durrës.

Shumë prej tyre u shprehën të shokuar nga akti i polices së re, për të cilën të gjithë kishin krijuar një opinion mjaft pozitiv me seriozitetin e treguar në punë nga ana e saj.

Gjatë ditës së sotme, shumë prej tyre i dhanë lamtumirën e fundit, vajzës së re që u varros me fustan nusërie, atë që s’mundi ta mbante veshur ndërsa ishte gjallë.

Një nga kolegët e saj, ka postuar në rrjetin social Facebook një postim mjaft të ndjerë ku shpreh dhimbjen për largimin e saj të parakohshëm nga jeta dhe konsideratën për shembullin që dha me punën e saj Anxhi.

“Sot ne rresht mungove Anxhi te gjith koleget nuk kishim fjale na mungonte prezenca juaj .. Ti ike nga kjo bote e perkohshme por per ne qe patem fatin e mire tet njihnim ke len mbresa dhe kujtime te pa shlyera si kolege si mike si shoqe.. Ke qen shembulli i cili cdo punojes policie duhet te kete pavarsisht se pak vite pjes e jona te gjith koleget e eproret u kish ren ne sy korrektesia e modeli yt te gjith te admironin ..i pa harruar kujtimi yt .. U prefsh ne paqe ANXHI..” shkruan polici Arjan Çali, që e shoqëron këtë postim me një foto të kolegëve të punonjëses së policisë së Durrësit, Peranxhela Shahini.

Postimi është shoqëruar nga komente të shumta të kolegëve të 23-vjeçares dhe qytetarëve të thjeshtë, që shprehin dhimbjen e tyre për ndarjen e parakohshme nga jeta të vajzës së re.