Një 19- vjeçar është vënë në pranga nga policia e Kavajës, pasi postonte në rrjetet sociale, kryesisht në Facebook dyluftime qensh. Ai është ndaluar nën akuzën e  keqtrajtimit të kafshëve.

Në bazë të ankesave të qytetarëve si dhe postimeve në rrjetet sociale, ku shfaqen dyluftime të kafshëve shtëpiake, specialistët e Hetimit të Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, kanë bërë të mundur identifikimin dhe ndalimin e të riut me inicialet D. Sh., banues në Kavajë.

Policia ka bërë me dije se 19-­vjeçari ka postuar në rrjetet sociale dy video me momentet kur qentë ishin në dyluftim. Në bazë të ligjit 10465 datë 29.09.2011, për “Shërbimin veterinar” në Republikën e Shqipërisë, u njoftua Shërbimi Veterinar për marrjen e masave konkrete.

Ndërkohë materialet proceduriale i kaluan për vlerësim dhe veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë.