Sekretari i përgjithshëm i Partisë Popullore Evropiane u ka kërkuar forcave politike shqiptare, veçanërisht qeverisë dhe opozitës, që të gjejnë konsensusin e munguar për miratimin e reformës në drejtësi, por edhe të pastrojnë politikën nga të inkriminuarit. Antonio Lopez-Isturiz, në këtë intervistë për ABC News, thotë se “ne e duam Shqipërinë në Bashkimin Evropian.”

Pyetje: Asambleja Politike e Partisë Popullore Evropiane ka komunikuar, se kryetari i opozitës në Shqipëri, Lulzim Basha, ka folur në këtë asamble lidhur me luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe reformën e gjyqësorit në Shqipëri. Kjo e fundit shihet si reforma më e rëndësishme në vend dhe njëkohësisht përbën një nga pesë prioritetet kyçe për hapjen e negociatave të anëtarësimit tê vendit në BE. Ndërkohë, draft-kushtetuta për reformën e gjyqësorit e paraqitur nga qeveria shqiptare është shumë e kontestueshme nga opozita, që e konsideron si një “kapje të shtetit”. A është e pranueshme për Partinë Popullore Evropiane një reformorë e gjyqësorit jogjithëpërfshirëse në Shqipëri?

Antonio Lopez-Isturiz: Kur bëhet fjalër për Shqipërinë, ajo që është më e rëndësishme për Partinë Popullore Evropiane është interesi i Shqipërisë, pra i vendit. Kjo është esenciale për një vend që aspiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Dhe pastaj vjen ideologjia dhe partia. Kjo është diferenca që ne kemi me socialistët. Ata vendosin ideologjinë para interesit të vendit. Ne kemi përçuar gjithnjë të njëjtin mesazh për forcat politike shqiptare: bashkëpunim dhe konsensus. Ky ka qenë mesazhi gjatë udhëheqjes së ish-kryeministrit Berisha, ky është mesazhi tani për qeverisjen e kryeministrit aktual socialist Rama. Duhet kuptuar qartë që rruga e integrimin evropian dhe anëtarësimit të vendit në BE kalon përmes konsensusit. Kjo nuk është diçka e re. Ne nuk po i kërkojmë asgjë më tepër Shqipërisë, sesa i kemi kërkuar vendeve të tjera në rrugën e tyre të anëtarësimit në BE. Të njëjtat gjëra i janë kërkuar edhe vendit tim, Spanjës. Në Spanjë, Partisë Socialiste dhe Partisë Popullore u janë dashur vazhdimisht të gjejnë marrëveshje për integrimin evropian. Dhe kjo solli rezultate fantastike për vendin. Lidhur me reformën e drejtësisë në Shqipëri, kjo është një reformë shumë e rëndësishme. Përfshirja e Komisionit të Venecias dhe gjithë proçesi legjislativ mund të sjellë hapa shumë pozitivë. Edhe një herë e përsëris, ne nuk po i kërkojmë asgjë të jashtëzakonshme Shqipërisë. Po i kërkojmë të njëjtat reforma që kanë kryer dhe vendet e tjera. E theksoj këtë, që të jetë sa më e qartë për shqiptarët. Ndaj, duhet që të dyja palët, qeveria dhe opozita të gjejnë marrëveshje mbi reformën në drejtësi. Pse duhet të bllokohet lufta kundër korrupsionit dhe reforma e drejtësië? Ishte shumë mirë që nën udhëheqjen e Bashës u arrit aprovimi i ligjit të dekriminalizimit dhe tani është rradha e reformës në drejtësi. Por, duhet më shumë sesa udhëheqja apo inisiativa e marrë nga Partia Demokratike. Ne duam të shohim një proçes konsensual. Ndaj i bëjmë thirrje Partisë Socialiste që të gjendet një marrëveshje dhe të ndiqet linja konsensuale. Kjo është në dobi të vendit dhe pozitive për Evropën.

Pyetje: Pas aprovimit të paketës të ligjit për dekriminalizimin, instuticionet evropiane thonë se hapi i rradhës është zbatimi i këtij ligji. Duke ditur që vendi zhvillon zgjedhjet e përgjithshme në vitin 2017, sa e rëndësishme është për ju që në listat zgjedhore të mos ketë më as një kandidat me të dhëna kriminale, siç ka ndodhur në zgjedhjet e mëparëshme dhe ato lokale?

Antonio Lopez-Isturiz: Sigurisht që llogjika politike dhe jo vetëm kërkon që në listat elektorale në Shqipëri nuk duhet të kandidojnë më persona me të dhëna apo të shkuar kriminale. Ky është një parim që duhet të respektojnë të gjitha partitë politike në Evropë dhe jo vetëm në Shqipëri. Do t’i këshilloja çdo partie politike në Europë, që të mos kandidonin persona me të shkuar kriminale. Por, ne jemi vërtet shumë krenar që ishte Basha që mori inisiativën për dekriminalizimin dhe që paketa ligjore për dekriminalizimin u aprovua në dhjetor. Por, përveç krenarisë për inisitivën e marrë dhe rezultatin e arritur prej tij, ne duam që tani të shohim edhe nga socialistët që të japin kontributin e tyre për zbatimin e ligjit për dekriminalizimin. Eshtë një ligj i mirë. Këto janë hapat që Shqipëria duhet të hedhë për integrimin në Bashkimin Evropian. Por, kjo është gjithashtu ajo që ne duam për vendin. Ne e duam Shqipërinë në Bashkimin Evropian, por vendi duhet të ndërrmarrë një sërë hapash për anëtarërsimin në këtë organizatë. Konsensusi është kyç.