BRUKSEL, 17 prill 2013 – “Tërheqja e anëtarëve të Partisë Socialiste nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve është e papranueshme”. Kështu është shprehur Kryetari i Partive Popullore Evropiane (EPP), Wilfried Martens në një deklaratë për shtyp lidhur me zhvillimet e fundit në Shqipëri.

“Çdo përpjekje për të ndryshuar balancën për të cilën është rënë dakord, katër anëtarë të KQZ-së propozohen nga Qeveria dhe tre nga opozita, është një përpjekje për të destabilizuar tërë sistemin zgjedhor dy muaj para zgjedhjeve.”- thuhet në deklaratën e tij.

Më tej ai shprehet se megjithëse është e panevojshme të thuhet, PPE mbështet fuqishëm kryeministrin Sali Berisha dhe Partinë Demokratike, dhe është e bindur se zgjedhjet e 23 qershorit do të shënojë një hap vendimtar për Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit në BE.

Në funksion të zgjedhjeve të ardhshme të qershorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të reflektojë edhe riorganizimin e koalicionit qeveritar, thekson ai, duke shtuar se, kjo është e një rëndësie të madhe për të ruajtur ekuilibrin brenda KQZ-së.