Drejtuesja politike e LSI-së, Elona Guri thotë se “Rilindja” vulos sot shkatërrimin e Durrësit me votimin jo transparent të Planit të Përgjithshëm Vendor.

Në një reagim për mediat, Guri e konsideron këtë vendim korruptiv, i cili sipas saj do të jetë në shërbim të oligarkëve të betonit dhe ndërtimit.

Në fund të reagimit të saj, drejtuesja politike i bën thirrje anëtarëve të Këshillit Bashkiak të mos bëhen pjesë e këtij plani hipokrit dhe mafioz.

“Mos u bëni bashkëfajtorë në shkatërrimin e mëtejshëm të Durrësit.”, thotë ajo.

REAGIMI I PLOTË

SKANDAL/ BASHKIA E DURRËSIT DHE KËSHILLI BASHKIAK I “RILINDJES” VOTOJNË SOT PËR SHKATËRRIMIN E MËTEJSHËM TË DURRËSIT.

“Rilindja” vulos sot shkatërrimin e Durrësit me votimin jo transparent të Planit të Përgjithshëm Vendor.

Vendim korruptiv në shërbim të oligarkëve të betonit dhe ndërtimit.

U deshën 30 vite demokraci por 30 vite shkatërrim total i Durrësit pa asnjë Plan Vendor për të larë sot gojën me banorët e Durrësit se gjoja ja ku e keni Planin e Përgjithshëm vendor. Vetëm për argument elektoral ndërkohë që vendi është në pandemi dhe pas pak javësh “Rilindja” ikën në arrati.

Pas gjashtë vitesh pezull të shqyrtimit të një plani të tillë, pak ditë nga largimi i “Rilindjes” votohet në një mbledhje jashtë rralle për çështjen më të rëndësishme të qytetit.

Çdo gjë po kryehet me shpejtësi dhe në kohë pandemie pasi pas 50 ditësh “Rilindja” kapitullon dhe me vendimin e sotëm sigurojnë privilegjet për oligarkët e betonit dhe korrupsionit.

SI QËNDRON ÇËSHTJA?

Që nga shtatori i vitit 2015 Këshilli Bashkiak i qytetit të Durrësit i hapi rrugën hartimit të Planit të Përgjithshëm Vendor brenda një periudhe një vjeçare.

Për gjashtë vite Durrësi ishte i vetmi qytet në Shqipëri pa një plan urbanistik edhe pse studio italiane e përcaktuar për bërjen e planit e kishte përgatitur brenda termave kohore, kjo vonesë nuk ishte pa arsye pasi drejtuesit e bashkisë, sekti i betonit dhe korrupsionit kishte plane degradimi dhe shkatërrimi të qytetit për interes të tyre dhe oligarkëve.

Durrësi degradoi në të gjitha funksionet e tij: në planifikimin urban, administrimin e territorit, jetën urbane e problemet sociale.

– Mungesa e një databaze të integruar për studimet pjesore të aprovuara ndër vite dhe lejet e ndërtimit ka çuar në vendime kundërshtuese dhe në shpërndarje jo të ekuilibruar e demokratike të zhvillimit të pronave.

– Mungesa e planifikimit në nivel infrastrukturor si rrjedhojë dhe e mos koordinimit institucional,ka sjellë si pasojë përmbytjet, problemet e furnizimit me ujë dhe shkarkimin e ujërave të zeza, dhe investimet e bëra disa herë për të njëjtin objekt.

– Mungesa e legjitimitetit për projektet e rivitalizimit të qendrës së qytetit, projekti Veliera tek hyrja e portit, sheshi tek muzeuleumi i dëshmorëve, ku nuk është marrë në konsideratë as mendimi i specialistëve dhe as i publikut.

– Zhvillimi i vijës bregdetare me shtesa në det pa asnjë normë ambjentale dhe projekte të pakonsoltuara me grupet e interesit.

– Mungesa e një itinerari turistik të mirëkonceptuar dhe të formalizuar edhe pse i sugjeruar prej profesionistëve.

– Ndërtime pa leje, cilësia e investimeve të kryera nga bashkia nga sheshi qendror i qytetit tek bulevardi kryesor, tek rrugët e reja në kënetë e në kodrat e qytetit janë të degraduara pa u mbaruar akoma periudha e garancisë.

– Betonizim në çdo qoshe pa meshirë për parqet, këndet e lojërave dhe gjelbërimin.

– Administrimi i mbetjeve urbane, djegia e tyre në qiell të hapur prej vitesh, tashmë e kthyer nga bombë ekologjike edhe në bombë financiare për qytetin.

– Rivitalizimi i rrugëve kryesore të qytetit para dhe pas tërmetit të 26 nentorit, shtrimet me pllaka pa kryer asnjë investim në infrastrukturën sekondare të trotuarëve, investime të gabuara nga ana konstrultive, korruptive, jo natyrore nga ana e peizazhit.

– Mungesa e koordinimit me Ministrinë e Kulturës për administrimin në menyrë korrekte të monumenteve të qytetit, mungesë iniciative dhe ndjeshmërie për trashëgiminë kulturore nga ana e bashkisë.

– Përveç një qendre ditore për tē moshuarit asnjë investim tjetër për këtë kategori.

– Asnjē metër katror lulishte e shtuar, asnjë pemë e mbjellë, asnjë park, vetëm beton.

– Parkimi në qytet një kaos i vërtetë, administrimi i atyre nga privatët i paqartë e korruptiv.

– Ndërtimi dhe shpërndarja e banesave sociale me vite vonesë e pa transparencë.

Dhe papritur si rrufe në qiell të hapur, në kohë pandemie dhe 50 ditë përpara zgjedhjeve parlamentare, para tre ditësh u zhvillua një dëgjesë me publikun për të konsultuar Planin e Pergjithshëm Vendor, ku 10 persona të ftuar nga bashkia, pa praninë e mediave e në sekret të plotë “debatuan” me vetveten dhe sot këshilli bashkiak monopartiak i “Rilindjes” do të votojë për diçka që kanë gjashtë vite që e sjellin vërdallë duke u tallur me qytetarët e duke futur në kolaps një qytet të tërë, kolaps urban, ekonomik, social, kulturor, ambjental.

Sot ushtarët e “Rilindjes” në Këshillin Bashkiak do votojnë nga shtëpitë e tyre online e me një klik do të vendosin për normat e zhvillimit të qytetit për 20 vitet e ardhshme.

Kjo urgjencë pas një gjumi gjashtë vjeçar është po aq e rrezikshme dhe e dëmshme sa dhe vitet e humbura në pritje të masterplanit, burim korrupsioni, inkompetencë, injorancë, klientelizëm.

Anëtarë të Këshillit Bashkiak mos u bëni pjesë e këtij plani hipokrit dhe mafioz. Mos u bëni bashkëfajtorë në shkatërrimin e mëtejshëm të Durrësit.

Durrësi meriton më shumë. 

Elona Guri

LSI Durrës

#DurresiShtepiaJuaj  

#LSI