TIRANE, 9 prill 2013 – Pas largimit të LSI-së nga maxhoranca qeverisëse Partia Republikane, tashmë si forcë e dytë në maxhorancë, i ka kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve anëtarin e saj në KQZ.
Nënkryetari i Partisë Republikane, Arjan Madhi, duke folur për News 24 ka deklaruar se PR tashmë ka gjithë të drejtën për të patur një anëtar në KQZ, pasi në të kundërt do të prisheshin balancat në këtë Komision, duke vështirësuar punën e tij.
Ai tha se PR nuk kërkon asgjë më tepër se atë çfarë parashikon Kodi i ri Zgjedhor. Madhi tha se Kodi parashikon që dy anëtarë të Komisionit, caktohen nga maxhoranca dhe dy nga opozita, më pas një nga partia e dytë në maxhorancë dhe një nga partia e dytë në opozitë.
Nënkryetari i PR-së tha se pesha politike e Partisë Republikane tashmë është e konfirmuar, duke sjellë në vëmendje se në zgjedhjet e fundit kjo parti ka marrë rreth 32 mijë vota.





