Aleksandër Garuli largon ing. Tomorr Spahiun, pjesëtar i grupit të projektimit të portit të ri të peshkimit në kompaninë e famshme britanike Peter Fraenkel & Partners Ltd

 

DURRËS, 19 Korrik 2013 – Republikanët e qeverisë në ikje dëbojnë një durrsak, ekspert portual ndërkombëtar në projektin e ndërtimit të portit të peshkimit.

Aleksandër Garuli nga Durrësi, nënkryetar i PR-së, njëkohësisht këshilltar i Fatmir Mediut, kryetar i PR-së, ministër i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave (MMPAU), ka pushuar nga puna një nga autorët e studimit të fizibilitetit, njëkohësisht pjesëtar i projektit të zbatimit të ndërtimit të portit të ri të peshkimit në Durrës, inxhinierin portual Tomorr Spahiu.

Në një deklarim për “Dyrrah”-un, inxh. Spahiu konfirmoi informacionin që kishte agjencia e lajmeve se drejtori i njësisë së zbatimit të projektit të portit të peshkimit, durrsaku Aleksandër Garuli, e ka pushuar nga puna pa i dhënë asnjë arsye.

Është ironike që një ish-mësues largon ekspertin ndërkombëtar portual, i vetmi në Shqipëri, për më tepër absurdi shtohet për faktin se ing. Spahiu ka marrë pjesë në grupin e projektimit të portit të ri të peshkimit, si pjesë e ekipit të kompanisë së famshme britanike në inxhinierinë civile për portet Peter Fraenkel & Partners Ltd.

Banka Evropiane për Zhvillim / Banka Botërore e kanë angazhuar Peter Fraenkel & Partners Ltd për supervizionin e thellimit emergjent të portit dhe kanalit të hyrjes në portin e Durrësit.

Firma më pas u caktua të udhëhiqte një projekt të financuar nga Banka Botërore për zhvendosjen e portit të peshkimit në Durrës.

Projekti përfshinte testimin fizik të modelit të portit të peshkimit, që u ndërmor në bashkëpunim me Danish Hydraulic Institute in Copenhagen(Instituti Hidraulik Danez në Kopenhagë) dhe DIWI Consult GmbH të Gjermanisë, ku ing. Spahiu ishte pjesë e këtij grupi dhe e ka mbrojtur me këmbëngulje projektin e portit në debatet e mëdha me bashkinë e Durrësit.

Zotit Garuli i shkonte përshtat kjo oponencë.

Jo vetëm kaq, me sa duket, Garuli bëri llogaritë se çfarë mund të përfitonte duke qenë në krye të njësisë së zbatimit të projektit, pasi në “tavë” ishin 15 milionë dollarë, kredi e Bankës Islamike.  

/Thanas Mustaqi, agjencia e lajmeve “Dyrrah”/