Industria e modës është tronditur nga një marrëveshje historike: Prada ka blerë Versace-n për 1,375 miliardë dollarë nga kompania Capri Holdings, duke përfshirë edhe borxhet e markës ikonike italiane. Lajmi u raportua nga Reuters dhe shënon një bashkim të rrallë midis dy emrave më të njohur të stilit italian, në një treg që prej vitesh dominohet nga gjigandët francezë të luksit.

Versace, e themeluar nga legjenda Gianni Versace, ka kaluar një periudhë të vështirë me humbje të vazhdueshme, ndërsa Prada ka ruajtur pozicionin e saj si një nga markat më të qëndrueshme, edhe në një kohë kur kërkesa globale për mallra luksi është në rënie.

Kjo marrëveshje vjen menjëherë pas largimit të Donatella Versace-s nga posti i drejtueses kreative, duke mbyllur kështu një kapitull të rëndësishëm për shtëpinë e modës që ajo drejtoi për dekada pas vrasjes së vëllait të saj, Gianni-t.

Patrizio Bertelli, kryetar i bordit të Prada-s dhe bashkëshort i Miuccia Prada-s, theksoi se trashëgimia dhe identiteti unik i Versace-s do të respektohen dhe zhvillohen, duke përfituar nga eksperienca, infrastruktura dhe investimet e grupit Prada.

Ndërkohë, Andrea Guerra, CEO i Prada-s, theksoi se Versace ka ende një potencial të madh, por do të kërkojë kohë dhe kujdes strategjik për t’u ringjallur në treg.

Vlera e marrëveshjes është ndjeshëm më e ulët krahasuar me 2,15 miliardë dollarët që Capri Holdings pagoi në vitin 2018 për ta blerë Versace-n. Kjo ulje pasqyron sfidat me të cilat marka është përballur së fundmi, por gjithashtu përfaqëson një mundësi të madhe për rilindje nën një drejtim të ri.