Ndryshe nga prag Krishtlindja, kur në portin e Durrësit u regjistrua një fluks i lartë pasagjerësh në hyrje, në këto ditë të fundit të vitit numri i udhëtarëve dhe automjeteve është në shifra normale.
Gjatë 4 ditëve të javës së kaluar, tragetet e linjës Durrës-Bari dhe anasjelltas kryen lundrime të dyfishta brenda ditës për të përballuar fluksin e emigrantëve që ktheheshin në atdhe për të kaluar festat. Ndërkohë, këtë javë, kompanitë e lundrimit kanë aplikuar vetëm një udhëtim në ditë drejt Barit dhe anasjelltas.
Ditën e enjte kanë mbërritur në portin e Durrësit me linjën e trageteve Bari – Durrës 1149 udhëtarë dhe 248 automjete.
Ndërsa mëngjesin e sotëm 2 tragetet e linjës Bari – Durrës kanë sjellë në portin më të madh në vend 1473 pasagjerë dhe 206 mjete.
Rreth orës 11.00 pritet të ankorohet në terminal trageti Mia i linjës Ankona – Durrës, që sipas burimeve nga Kapitaneria sjell 355 udhëtarë dhe 122 automjete.
Ky konsiderohet një fluks normal për autoritetet portuale, që kanë marrë të gjitha masat për përpunimin në kohë rekord të të gjithë udhëtarëve që mbërrijnë në portin më të madh në vend.
Fluksi i udhëtarëve pritet të rinisë në ditët e para të muajit janar 2024, kur rikthehen lundrimet e dyfishta duke nisur nga data 4 janar.
Këtë herë fluksi do të jetë në dalje, pasi emigrantët nisin rikthimin në vendet e tyre të punës, pas kalimit të festave të fundvitit në atdhe.
M.B.





