17 shkurt 2014 – Teuta do të presë sot në “Niko Dovana” Skënderbeun kampion, përballë të cilit do kërkojë me çdo kusht fitoren. Durrsakët u kanë dhënë fund përgatitjeve dhe sot janë të gatshëm për t’i sfiduar bardhekuqtë, në këtë përballje mjaft të rëndësishme për “djemtë e detit”. Teuta gjendet në kuotën e 28 pikëve, 9 pikë më pak sesa Skënderbeu dhe minimalisht nëse dëshiron që t’i mbajë ende gjallë shpresat për titull, duhet të fitojë sfidën e sotme. Teuta gjithashtu dëshiron të fitojë këtë takim edhe për të konsoliduar pozitat e saj në grupin e skuadrave që kanë si objektiv të shkojnë në Europë. Grupi i skuadrave në këtë sektor të renditjes është zgjeruar ndjeshëm dhe normalisht që durrsakët përpara se të mendojnë për titull, duan të garantojnë qetësinë në këtë “pjesë të fushës”. Ndeshja do të luhet në orën 18:00 dhe në stadium priten rreth 5 mijë tifozë, një numër jo i zakonshëm për durrsakët. Tifozët janë të impresionuar nga blerjet e ndryshimet në formacion dhe besojnë se me një fitore të mundshme, durrsakët të ketë mundësi pse jo të kërkojnë titullin deri në fund të sezonit. Duke e konsideruar tentativën durrsake në një kuptim më të gjerë, afërmendsh që një sukses i vendasve do ta zbukuronte kampionatin. Deri tani ka një luftë të egër për Europën dhe për mbijetesën, por nëse Teuta fiton ndaj Skënderbeut, diferenca mes dy skuadrave reduktohet në 6 pikë, një kuotë që të lejon të mendosh se mund të ketë garë deri në fund. Tekniku Sorrentino theksoi se skuadra e tij do të futet në fushë për ta fituar duelin. Sipas italianit, gjithçka është gati dhe të gjithë besojnë te tri pikët: “Jemi përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje dhe do përpiqemi të japim më të mirën në fushë. Të gjithë janë të gatshëm dhe do ta kem të vështirë për të vendosur për formacionin. Gjatë javës lojtarët kanë treguar vendosmëri në punë dhe janë rritur ndjeshëm nga ana e tyre, si fizike ashtu e morale. Të gjithë futbollistët, stafi teknik, por edhe tifozeria besojnë se do të bëjmë një ndeshje të mirë dhe do marrim maksimumin prej saj. Sigurisht, është një ndeshje shumë e rëndësishme për skuadrën tonë dhe në të njëjtën kohë shumë e vështirë, pasi presim ekipin që kryeson kampionatin. Neve na duhet ta fitojmë këtë ndeshje dhe do të japim maksimumin tonë për ta arritur këtë objektiv. Tri pikë do të na ndihmonin shumë për ecurinë e skuadrës. Kampionati do edhe shumë kohë të mbyllet, ndaj nuk e dimë se si do përfundojë. Unë nuk mendoj se ndeshja mes Teutës dhe Skënderbeut do të presë me gërshërë fatin e njërës dhe tjetrës skuadër. Kjo nuk është përballja e fundit. Sigurisht, fitorja jonë do ta bënte më shumë rivalizues kampionatin në vazhdim, por edhe në rast të kundërt nuk merr fund asgjë. Pritet të jetë një ndeshje shumë e bukur.” Sot, stadiumi “Niko Dovana” pritet të mbushet plot. Gjatë këtyre ditëve ka pasur kërkesa të shumta për bileta, ndërsa një pjesë e mirë e qytetarëve nuk kanë arritur ta sigurojnë një të tillë. Tifozeria vendëse është përgatitur prej ditësh dhe pritet të prezantohet me koreografi të ndryshme në tribunën ballore, teksa do të kenë mbështetjen e qindra mijërave qytetarëve durrsakë, që së bashku do ta përkrahin skuadrën e qytetit të tyre. Nga ana tjetër, pritet që nga Korça të niset një numër i lartë, rreth 150-200 tifozë. Tifogrupi “djemtë e detit” kanë premtuar se do ta ndezin atmosferën në stadium, ndërsa i kërkojnë skuadrës së tyre të zemrës që të mos i zhgënjejë.
Statistikat e deritanishme të përballjes Teuta-Skënderbeu
BILANCI – Në 15 vitet e fundit mes Teutës dhe Skënderbeut janë luajtur 26 ndeshje: 7 janë fitore të Teutës, 10 barazime dhe 9 fitore të Skënderbeut.
GOLAT – Teuta ka shënuar gjithsej 19 gola, përkundrejt 25 të korçarëve.
BARAZIMI I FUNDIT – Skënderbeu-Teuta 1-1, ndeshje e kampionatit luajtur më 19 tetor 2013 në Korçë.
FITORJA E FUNDIT E TEUTËS – Teuta-Skënderbeu 2-0, ndeshje kampionati e luajtur në “Niko Dovana” më 29 nëntor 2010.
FITORJA E FUNDIT E SKËNDERBEUT – Teuta-Skënderbeu 0- 2, ndeshje kampionati e luajtur në Durrës më 21 tetor 2012.
GOLASHËNUESIT – Daniel Xhafaj është goleadori më i mirë i durrsakëve me 10 gola. Pas tij vijnë Joel (4), Nika (3), Mancaku dhe Muriqi (2). Ndërsa te Skënderbeu, golashënuesi më i mirë është Pero Pejiç me 8 gola, i ndjekur nga Ribaj, Shkëmbi (4), Muzaka (3), Arapi (2) etj.
FUTBOLLISTËT – Te Teuta mosha mesatare është 24.6 vjeç, kurse te Skënderbeu 22.9. Lojtari më i ri i Teutës është E.Kastrati (17 vjeç), te Skënderbeu K.Pino (18 vjeç). Veterani i Teutës është Daniel Xhafaj (36 vjeç), te Skënderbeu Orges Shehi (36 vjeç). Teuta ka 10 lojtarë të huaj, ndërsa Skënderbeu 9 të tillë.
“ISH”-ët – Nga skuadra aktuale e Teutës është vetëm një lojtar, Daniel Xhafaj, që ka luajtur në të shkuarën edhe për Skënderbeun, në sezonin 2011-2012. Osmani gjithashtu shihet si ish, pasi ka dalë nga akademia e Skënderbeut, ndonëse nuk ka luajtur asnjëherë në Superiore me korçarët. Nga skuadra aktuale e Skënderbeut janë dy lojtarë që kanë luajtur edhe për Teutën: Orges Shehi, i cili ka luajtur për durrsakët për dhjetë vjet, 1994-2004, si dhe Blendi Shkëmbi, i cili ka luajtur në 2000-2001 dhe 2006-2007.
EFIKASITETI – Teuta është më efikase para portës nga minuta e 75-të deri në të 90-ën, kur dhe i ka shënuar pjesën më të madhe të golave (33.3 për qind). Edhe Skënderbeu është më efikas në këto minuta, por me përqindje më të vogël, 25.9 për qind. Teuta është më e dobët në sulm nga minuta e parë deri në të 15-tën, me një përqindje që nuk e kalon 7.4, ndërsa Skënderbeu është më dobët nga minuta e 60-të deri në të 75-tën, me një përqindje prej 7.4.
TROFETË – Teuta ka fituar 1 titullar kampion (1993-1994) dhe tri Kupa të Shqipërisë (1995, 2000, 2005), ndërsa Skënderbeu ka fituar katër tituj kampionë (1933, 2010- 2011, 2011-2012, 2012-2013) dhe një Superkupë të Shqipërisë (2013).
/ agjencia e lajmeve "Dyrrah" /





