Tiranë, 10 qershor 2014 – Policia e Tiranës ka arrestuar dy shtetas, të cilët akuzohen si autorë të mbi 20 vjedhjeve në kryeqytet.
Burime nga Policia e Tiranës bënë të ditur se në kuadër të operacionit “Kasketa”, të ndërmarrë nga komisariati i Policisë numër 2, u bë i mundur arrestimi i të kërkuarit Aleksandër Ndrelalaj, 44 vjeç, lindur ne fshatin Gjorm Kurbin dhe banues në Kamëz, Tiranë, i dënuar më parë në Itali për dhunë ndaj bashkëshortes.
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Gjykata e Rrethit Tiranë më datë 29.05.2014, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest në burg”, për vjedhjen e banesës së shtetasit të B.A, ndodhur më datë 28.04.2014, në Rrugën e Kavajës. Nga ecuria e hetimit 3 mujor është dokumentuar tërësisht implikimi i tij në 19-të vjedhje.
Hajduti Aleksander Ndrelalaj i vidhte shtëpitë duke hapur dyert e banesave me karta të ndryshme telefoni. Këtij shtetasi i janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale një laptop i markës “Acher”, me aksesorët e tij, 5 (pesë) copë karta telefonike, me të cilat realizonte hapjen e dyerve, 3(tre) aparate telefonash celular të markave të ndryshme dhe një orë dore e markes “Viceroy”, ngjyrë e zezë.
Krahas arrestimit të këtij hajduti, policia e Tiranës ka arritur të identifikojë dhe të prangosë shtetasin Selaudin Shehu, 27 vjeç, i cili akuzohet për 5 vjedhje. Shehu është arrestuar në kuadër të operacionit policor ”Komshiu”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





