KORCE, 26 prill 2013- Policia e Korçës ka zbardhur një skemë mashtrimi të dy personave, të cilët prezantoheshin si ndërtues pallatesh duke u marrë shuma të mëdha parash qytetarëve dhe duke u premtuar dyqane dhe banesa.
Në pranga kanë rënë Altin Uruçi 31 vjeç dhe Stefanaq Curo 44 vjeç, ndërsa ndiqet penalisht në gjendje të lirë Fori Curro 80 vjeç, i cili ndihmonte dy personat e tjerë.
Operacioni është shtrirë në 4 qarqe të vendit, Korçë, Fier, Gjirokastër dhe Tiranë.
Mësohet se personat në fjalë u paraqiteshin qytetarëve me emra të rremë dhe më pas u merrnin para, duke u premtuar banesa dhe dyqane, premtim që nuk mbahej kurrë e gjithçka përfundonte me zhdukjen e 2 mashtruesve.
Gjithë hetimi nisi pas denoncimit të dy personave Jorgji Jorgji dhe Sotiraq Vangjeli, të cilëve u ishte marrë shuma prej 220 mijë eurosh.
Ata prezantoheshin me emra të rremë, ndërsa blutë e Korçës kanë sekuestruar edhe një makinë Opel Astra, me të cilën autorët kryenin aktivitetin e tyre.





