Elbasan, 22 korrik 2014  – Policia e Elbasanit, në kuadër të operacionit të koduar “Punësim i rremë”, ka arrestuar dy persona, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin mashtronin qytetarët se do t’i çonin të punonin në Kanada dhe vende të tjera të BE, duke u marrë në këmbim para.
 
Në pranga kanë rënë Mihal Shyti, 44 vjeç, banues në Prrenjas të Librazhdit dhe Lorenc Cuke, 37 vjeç, banues në Korçë. Sipas hetimeve të kryera të dy këta persona në bashkëpunim kanë mashtruar 20 qytetarë duke u premtuar punësim në Kanada e vende të BE. Në këmbim ata u kanë marrë një shumë prej 500 eurosh.
 
Sipas policisë Shyti dhe Cuke, për kryerjen e këtij mashtrimi kanë bashkëpunuar edhe me një shtetas të huaj, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur për arsye hetimi. Ky është rasti i dytë i mashtrimeve të tilla në brenda 1 jave.

Pak ditë më parë, një shtetas maqedonas, Vasco Pop Gorov, përmes një zyre fiktive emigrimi për në Kanada e Australi para Drejtorisë së Policisë së Tiranës, kishte mashtruar dhjetëra persona duke përfituar një shumë prej 300 mijë eurosh, ndërsa është shpallur në kërkim nga policia.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/