ROME – I liruar më 31 dhjetor nga forcat e rendit, sipërmarrësi italian Andrea Calevo iu kthye dje familjes dhe punës së tij, me shpresën që të harrojë sa më shpejt këtë histori. 

Biznesmeni 31-vjeçar u sekuestrua darkën e 16 dhjetorit në shtëpinë e tij, përpara syve të së ëmës që jeton me të. Më 21 dhjetor familjes i mbërriti kërkesa e pengmarrësve: “8 milionë euro në këmbim të lirimit të Calevos”. 

Sipërmarrësi u lirua falë operacionit të policisë e të karabinierëve paraditen e 31 dhjetorit, kur e gjetën me këmbë e duar të lidhura në bodrumin e një vile në zonën industriale të Sarzanës, pak kilometra larg Lericit. 

Kjo është rrjedha e ngjarjeve që tronditi Ligurian në prag festash dhe që deri tani ka çuar në burg katër persona. Të arrestuarit janë pronari i vilës ku Calevo u gjet, 70-vjeçari sipërmarrës ndërtimi Pierluigi Destri, nipi i tij 23 vjeç Davied Bandoni, si dhe dy punëtorë shqiptarë, Fabjan Vila 20 vjeç dhe Simon Halilaj 26 vjeç. 

Nga marrja në pyetje e të pandehurve, dhe veçanërisht nga rrëfimi i Halilajt, i vetmi që ka vendosur të bashkëpunojë, forcat e rendit janë vënë në kërkim edhe të dy personave të tjerë. Emrat e tyre nuk bëhen të ditur, edhe pse mund të jenë identifikuar, por mësohet se edhe ata janë shqiptarë. 

Sipas forcave të rendit dhe të drejtësisë që po hetojnë mbi ngjarjen, kanë qenë tre shqiptarët, Halilaj e dy të tjerët në kërkim, ata që fizikisht kanë marrë peng sipërmarrësin, ndërsa kreu i bandës, ai që ka ideuar sekuestrimin, është 70-vjeçari italian Destri. 

Sipas portalit "Shqiptari i Italisë", dy shqiptarët e kërkuar mund të jenë kthyer në Shqipëri dhe për kapjen e tyre është e nevojshme ndërhyrja e Interpolit dhe e policisë shqiptare. 

Ndërkaq pritet të sqarohet diçka më shumë edhe nga armët e gjetura në bodrumin e vilës së Destrit: një pistoletë Glock lodër e modifikuar që qëllon edhe me plumba të vërtetë dhe një çifte e kalibrit 12.