Tiranë, 18 qershor 2014 – Një 17-vjeçare u sulmua pranë banesës së saj në Tiranë nga një person, i cili tentoi ta përdhunonte duke përfituar nga errësira dhe zona e pabanuar. Por fatmirësisht kanë qenë fqinjët e vajzës ata që kanë arritur të parandalojnë ngjarjen, pasi kanë dëgjuar thirrjet e saj për ndihmë. Kur ka parë dëshmitarët, autori ka hequr dorë dhe ka nisur të vrapojë për t’u larguar nga vendngjarja. Por në momentin që ka dalë në një vend të ndriçuar ai është parë nga një patrullë policie e Komisariatit Nr. 3, që e ka ndaluar menjëherë, fillimisht si person të dyshimtë e më pas ka mbërritur denoncimi për ngjarjen, që e lidhte të dyshuarin me tentativën e përdhunimit.
Burime nga Policia e Tiranës thanë se është kryer arrestimi i autorit të dyshuar të ngjarjes, i cili është 29-vjeçari Bledar D. Sipas të njëjtave burime, i riu ka sulmuar mbrëmjen e së hënës një vajzë 17-vjeçare me iniciale P. I., e cila po dilte nga banesa e saj për të shkuar në dyqan. Burime zyrtare të Policisë së Tiranës thanë se 29-vjeçari është arrestuar me akuzën “marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitura”, e mbetur në tentativë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





