Tre persona janë arrestuar nga Policia e Pogradecit për trafik klandestinësh, pasi u kishin premtuar 27 emigrantëve të huaj se do t'i ndihmonin për të shkuar drejt vendeve të BE-së. Ata do t’i kalonin nëpërmjet territorit shqiptar kundrejt shumës prej 1200 eurosh për personat e rritur dhe 600 eurosh për fëmijët.
Të arrestuarit janë Leonard Jaçellari 28 vjeç, banues në fshatin Hudënisht, Vasil Kuburja 47 vjeç banues në Elbasan dhe Arsen Çekiçi 44 vjeç banues në fshatin Buçimas.
Arrestimet u realizuan në aksin rrugor Korçë-Pogradec pranë vendit të quajtur “Kryqëzimi i Vërdovës”, duke transportuar me automjetet e tyre, 27 klandestinët me kombësi siriane, irakenë dhe sudaneze të cilët vinin nga një kamp i qytetit të Selanikut/Greqi dhe kishin kaluar ilegalisht kufirin e gjelbër drejt tokës shqiptare.
Pas përfundimit të veprimeve procedurale si edhe intervistimit të tyre, 27 klandestinët midis tyre 12 fëmijë janë transportuar drejt Qendrës Kombëtare Pritëse për Azilkërkuesit, në Babrru.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 automjete, dy “Ford” dhe një “Mercedes-Benz”, si dhe 4 aparate celulare.





