LUSHNJE, 3 prill 2013– Policia e Lushnjes arrestoi katër të rinj nga Elbasani, të cilët akuzohen për pengmarrje.

Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se kushërinjtë, Erblin, Fatos, Reli dhe Blerim Ibrahimi, dhunuan dhe mbajtën peng për rreth 2 orë 20-vjeçarin A.Halili, pasi ky i fundit dyshohet se u kishte ngacmuar seksualisht kushërirën e mitur. 

Mësohet se 4 kushërinjtë, në shenjë hakmarrje për ngacmimin e së miturës, e kanë mbyllur 20-vjeçarin për rreth 2 orë, në një makinë tip ‘Touareg’ dhe pasi e rrahën e braktisën në fshatin Karbunarë. 

Pas kësaj i riu është transportuar në spital, ku ka akuzuar 4 kushërinjtë Ibrahimi si autorë të ngjarjes.

Këta të fundit deklaruan në polici, se Halili kishte ngacmuar seksualisht kushërirën e tyre 12-vjeçare dhe për këtë arsye e kanë kërcënuar që kjo gjë të mos ndodhte më. 

Pas deklaratës së të arrestuarve, policia bëri ndalimin e 20-vjeçarit A.Halili në spital, nën akuzën e ngacmimit seksual të të miturve.