ROMË, 25 qershor 2013 – Karabinierët e Cassano D’Addas në Itali kanë arrestuar një 41-vjeçar, baba i katër fëmijëve, me akuzën e përdhunimit të të bijës 17 vjeçe.
Sipas policisë italiane, abuzimet kanë nisur që në tetor të vitit të shkuar e deri në qershor, kur 41-vjeçari ka përdhunuar tri herë vajzën e tij.
Gjatë kësaj periudhe 41-vjeçari shqiptar, i cili punonte si hidraulik, i rimartuar pas vdekjes së gruas së parë me të cilën ka fëmijët, u kishte ndaluar këtyre të fundit të mbanin marrëdhënie me familjen e të ëmës, por 17-vjeçarja e quajtur Stela, falë Facebook-ut qëndronte gjithnjë në kontakt me prindërit e nënës dhe me një dajë, të cilit i tregonte për jetën e saj, edhe për abuzimet e të atit.
Pas përdhunimit të fundit, e shoqëruar nga daja, vajza u është drejtuar karabinierëve për të paditur babanë.
Hetimet e shpejta dhe konfirmimi nga anë e mjekëve i abuzimit, kanë sjellë arrestimin e 41-vjeçarit me akuzën e rëndë të përdhunimit në rrethana rënduese.
Fatmirësisht asnjë nga fëmijët e tjerë, një djalë e dy vajza, nuk ka shenja abuzimesh.





