VLORE, 26 maj 2013- Më datë 23 maj 2013, në orët e para të mëngjesit të kësaj dite në policinë e Vlorës është denoncuar një rast dhune brenda familjes, me pasojë plagosjen e një gruaje.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Alikokë ku gjatë një konflikti për motive të dobëta 49 vjeçari Gëzim Selimi ka goditur me sende të forta në kokë bashkëshorten e tij L.Selimi 45 vjeç, duke i shkaktuar dëmtime të shumta, çka ka bërë që gruaja të dërgohet me urgjencë në spital.
Menjëherë në banesë kanë shkuar shërbimet e policisë të cilat kanë kryer veprimet e para procedurale dhe kanë bërë të mundur kapjen e menjëhershme dhe arrestimin në flagrancë të Gëzim Selimin për veprën penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë.
Burime zyrtare nga policia thanë se 45 vjeçarja ndodhet në spitalin e Vlorës në gjendje të rëndë shëndetësore, për shkak të frakturave të shumta dhe të çarave të mëdha në kokë.
Për katër ditë 45-vjeçarja Lumturie Selimaj qëndroi në koma të thellë dhe pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ndërroi jetë të shtunën.
Ndaj 49 vjeçarit Gëzim Selimi tashmë rëndon akuza e vrasjes.
Grupi i hetimit po përpiqet të zbardhë dinamikën e plotë të ngjarjes, ndërsa motivi i agresionit të pashembullt ende nuk bëhet publik.





