KORCE, 17 mars 2013- Mashtronte gratë që u kishin vdekur burrat dhe u merrte para, arrestohet supermashtruesi. Një histori e vërtetë që ngjason me një skenar filmi komik ka qenë ajo e një 56-vjeçari, i cili prej disa muajsh në Korçë ishte kthyer në makthin e të moshuarve. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Korçës dje bënë me dije se është arrestuar Spiridon Likaj, banues në qytetin e Shkodrës. Mësohet se Likaj është prangosur pas 4 denoncimeve të personave të ndryshëm, të cilët kanë deklaruar se përmes mashtrimit, ai u zhvaste para. Sipas policisë lokale, 56-vjeçari "përzgjidhte" në lagje të ndryshme të qytetit juglindor, gratë që u kishin vdekur burrat dhe i kishin fëmijët në emigracion. Mësohet se shkodrani, pasi siguronte informacionin e nevojshëm, trokiste në dyert e banesave të të moshuarve dhe shtirej sikur ishte i njohuri i fëmijëve të tyre emigrantë, apo edhe i personave të tjerë të afërt dhe më pas u kërkonte para. Burime pranë grupit hetimor sqarojnë se 56-vjeçari (beqar) mashtronte gratë e veja dhe pleqtë duke u shtirur si doktor, kushëri, apo dhe kandidat për t'u martuar. Sipas policisë, në njërin prej rasteve, Likaj kishte arritur të merrte përmes mashtrimit shumën prej 2 milionë lekësh të vjetra, ndërsa në tri rastet e tjera bëhej fjalë për shumën 20-40 mijë lekë të vjetra. Deri tani, numri i denoncimeve për 56-vjeçarin ka arritur në 4, ndërsa dyshohet të ketë edhe persona të tjerë që janë mashtruar. Gjatë marrjes në pyetje, Spiridon Likaj ka mohuar kategorikisht akuzën, ndërsa policia pohon se ekzistojnë prova të mjaftueshme që e implikojnë atë në mashtrim. Ndërkaq, 82-vjeçarja Elvira Çeliku nga qyteti i Korçës, në një intervistë për "Gazeta Shqiptare" tregon me detaje se si e mashtroi burri i "kollarisur".
Zonja Çeliku mund të na tregoni se si u mashtruat nga 56-vjeçari?
Ishte ditë e martë. Isha në shtëpi duke parë televizor. Më trokiti dera, e hapa dhe pashë një zotëri të veshur dhe kolarisur nga koka tek këmbët. Ishte diku rreth të 50-ve. Më foli me emër, dhe sikur më njihte prej kohësh. Ai fliste vazhdimisht duke u përpjekur të më mbushte mendjen se ishte një i njohur i familjes sime. Nuk ngurova dhe e ftova brenda, se ne korçarët mikpritjen e kemi zakon. U ul dhe nisi të më pyeste edhe për fëmijët.
Po ku i njihte ai fëmijët tuaj?
Ai para se të trokiste në derë, pyeste në lagje për të siguruar informacionin që i duhej. E kishte profesion mashtrimin. Më thanë fqinjët, pasi iku ai burri, se i kishin treguar ata, që grua pa burrë isha unë. Gratë kishin menduar që ai më kërkonte mua. Ai u kishte thënë grave që kërkonte një plakë, të moshuar që i ka vdekur burri dhe ato i kishin treguar portën time. Madje i kishin thënë që unë kisha dy vajza në Greqi. Ndaj dhe ai më pyeste se si i kisha vajzat në shtetin grek, gjë që mua për momentin më bëri ta besoja. Më pas pa fotografinë e burrit tim të vendosur në mur, dhe tha që e kishte vizituar vite më parë, para se bashkëshorti im të vdiste. Mashtruesi e mbante veten për doktor. Në fakt dyshova, pasi burri im kishte 25 vjet që kishte vdekur, ndaj pyesja veten se kur e kishte vizituar ai? Megjithatë, ai fliste me bindje dhe në një mënyrë që të bënte për vete. Një plakë si puna ime e besonte lehtë.
Më pas çfarë ndodhi?
Pastaj më tha që kishte lënë makinën në servis dhe nuk kishte paratë. I duheshin 25 mijë lekë. Ai m'u lut ta ndihmoja, ndërsa më tha se nuk kishte ku të shkonte, pasi vetëm familjen time njihte. Foli e foli dhe një zot e di se si më bëri të besoja që ai ishte i njohur i familjes sime. Në fillim i thashë që nuk kam marrë pensionin dhe nuk kam marrë as ilaçet. Por pastaj nxora 15 mijë lek të vjetra dhe i dhashë që ato kisha. U mjaftua me aq. Nuk bëri naze, i mori dhe iku.
Si ishte i veshur?
Shumë mirë. Kishte një pallto të gjatë të zezë. Kishte veshur kostum dhe këpucë të mira. Ishte i veshur shumë mirë. Nuk të linte të dyshoje aspak dhe mua m'u prezantua si "doktor" i familjes.
Si e kuptuat që u mashtruat?
Të nesërmen mësova se ky personi kishte shkuar edhe tek disa gra të tjera në lagje. Me të njëjtën taktikë, duke kërkuar një grua të moshuar që i ka vdekur burri. Normal, kështu do e kishte më të lehtë për të mashtruar një plakë si puna ime. Dhe kur po rrija e ulur në lagje, mora vesh që ai kishte shkuar në disa banesa të tjera, pasi kishte marrë informacionet e duhura dhe i kishte mashtruar. Kishte dhe disa raste që nuk i kishte mashtruar dot, pasi e kishin kuptuar. Ai kërkonte gra pa burra dhe me fëmijë në emigracion.
Si ndiheni tani që ai i arrestua?
Më kanë hyrë të dridhurat, nuk fus njeri më lehtë në shtëpi. Po sikur të ishte i armatosur? Nuk di ç'të them, ndihem e frikësuar nga njëra anë, por e qetë nga ana tjetër, pasi ai mashtruesi është vënë në pranga. Që prej momentit që mora vesh se ai më kishte mashtruar, nuk kam vënë gjumë në sy dhe kam qëndruar me frikë. Shyqyr Zotit që përfundoi me kaq.
/e.s.BalkanWeb/





