LEZHE- Policia e Lezhës ka vënë në pranga ishpunonjësin e Forcave Speciale të Kurbinit, 36- vjeçarin Astrit Tafa, i shpallur në kërkim për prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake. Sipas burimeve nga policia e Lezhës, Tafa dyshohet se ka pasur lidhje të ngushta me vëllezërit Llani nga Mamurrasi, të akuzuar për disa ngjarje ndaj familjes Shkreta me të cilën kanë hasmëri në fshatin Shpërdhet të rrethit të Kurbinit.
Policia ka hedhur dyshime se lidhja e ngushtë mes Tafës dhe vëllezërve Llani është shfrytëzuar nga këta të fundit për të siguruar armë, të cilat mendohet se janë përdorur më pas për vrasje në Tiranë e Mamurras.
36-vjeçari ishte shpallur në kërkim prej pak muajsh, ndërsa është kapur mbrëmjen e djeshme në banesën e tij, pas një operacioni të policisë. Gjatë kontrolleve që janë ushtruar në banesën e tij, pas shpërthimit në banesën e familjes Shkreta, policia i ka gjetur disa armë zjarri.
Para pesë vitesh Tafa u akuzua nga e dashura e tij për mashtrim, për të cilin kreu edhe një vit burg. Para një viti 36-vjeçari ka punuar në Bashkinë e Mamurrasit si polic, post që e ka mbajtur vetëm pak kohë. Aktualisht, policia po vijon hetimet e mëtejshme për zbardhjen e plotë të detajeve që do të mund të hedhin dritë mbi të vërtetën.