Ish-drejtoresha e përgjithshme e Doganave Elisa Spiropali, ka kërkuar lirimin e 20-vjeçares nga Kodër Rrësheni, Manjola Gjonajt, e cila plagosi me thikë bashkëfshatarin e saj, pasi ky i fundit tentoi ta përdhunonte.

E indinjuar nga kjo ngjarje e rëndë, Spiropali ka reaguar nëpërmjet një statusi në Facebook duke thënë se nuk ka gjykatë që të dënojë viktimën.

“Manjola Gjonaj plagosi atë që tentoi ta përdhunonte. Thika top Manjolë. Nuk ka kod, polici, prokurori a gjykatë që dënon viktimën. Lirojeni!”, shkruan Spiropali.

Ngjarja

Ngjarja ndodhi pasditen e së hënës në një zonë të pyllëzuar në Kodër Rrëshen të Mirditës, ku Severjan Tusha, 24 vjeç, është plagosur me thikë nga Manjola Gjonaj. Dy të rinjtë nga i njëjti fshat janë takuar rastësisht dhe sapo 24-vjeçari ka parë vajzën që ishte e vetme, i është afruar dhe ka tentuar të kryeje marrëdhënie seksuale me dhunë me të. Vajza, e cila mbante gjithnjë me vete një thikë në rast të ndonjë sulmi të mundshëm, e ka qëlluar disa herë agresorin në disa pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar dëmtime të rënda. Pas ngjarjes, policia i arrestoi të dy.

S.L.