31 tetor 2015 – Arrestohet një 33-vjeçar nga Shijaku, i cili dyshohet të ketë kryer marrëdhënie seksuale me mbesën e tij të mitur, 13 vjeçe.

Ngjarja e rëndë është denoncuar ditën e djeshme në komisariatin e Shijakut, nga dy prindërit e vajzës së mitur me iniciale R.Gj. dhe nga vetë vajza. Në praninë e psikologes, vajza ka rrëfyer se ajo është abuzuar seksualisht disa herë nga xhaxhai i saj me iniciale I.Gj. 3 vite më parë, pra kur ajo ishte vetëm 10 vjeçe. Abuzimet kanë ndodhur në shtëpinë e xhaxhait në Shijak.

Burimet policore bëjnë me dije se prindërit e kanë patur të vështirë dhe kanë qenë në dilemë nëse duhet ta denonconin abuzimin që i ishte kryer vajzës së tyre, për vetë faktin se bëhej fjalë për xhaxhanë e të miturës. Por pas shumë mundimesh, ata kanë marrë iniciativën që drejtësia duhej të vihej në vend.

Abuzimet seksuale sipas dëshmisë së të dëmtuarës kanë ndodhur në vitin 2012, por vetëm kohët e fundit vajza ka rrëfyer në shkollë atë që i kishte ngjarë. Më pas, mësuesja e shkollës ka njoftuar prindërit e saj dhe i ka vënë në dijeni të ngjarjes së rëndë.

Menjëherë pas denoncimit të prindërve, policia arrestoi 33-vjeçarin, i cili gjatë marrjes në pyetje nuk ka pranuar asgjë rreth kësaj ngjarjeje. Ndërkohë, vajza është dërguar gjatë ditë së sotme në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë, për të kryer akt-ekspektimin. Pritet që gjatë javës së ardhshme të dalin dhe rezultatet e ekspertizës.

Çështja në ngarkim të 33-vjeçarit i kaloi Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, i cili akuzohet për "Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur".

/portali DurresLajm/