Tre persona të dyshuar si autorë të grabitjes së bankës në ish-Bllok, në javën e parë të gushtit, janë vënë në pranga nga policia e Tiranës. Sipas burimeve, grabitësit e kasafortës së bankës janë arrestuar në Tiranë, ndërsa njëri prej tyre mësohet se është djali i Nehat Kullës, Robert Kulla.

Po sipas burimeve, mësohet se janë gjetur edhe një pjesë e parave të vjedhura nga kasaforta e bankës.

Në total, nga grabitja e bankës në 8 gusht u vodhën rreth 200 mln lekë.

Drejtori i Policisë së Tiranës, Ervid Hodaj, pritet që të dalë në një konferencë për mediat në orën 19:30 për të dhënë më shumë detaje për ngjarjen.