2 dhjetor 2014 –  Mëngjesi i së martës 2 dhjetor 2014 u gëdhi ters për një bandë të fuqishme italo-shqiptare narkotrafikantësh. Polica italiane ka bërë një varg arrestimesh të eksponentëve shqiptarë dhe italianë të bandës në të katër anët e Italisë. 

Arrestime janë kryer në Milano, Firence, Katanxaro (Catanzaro), Padova, Novara, Kremona (Cremona), Pavia dhe Kuneo (Cuneo). Në operacion u angazhuan mbi 120 policë, një helikopter si edhe dy qen kërkimi. Deri tani rezultojnë të arrestuar 10 anëtarë të bandës. Vazhdojnë ende përpjekjet për të kapur anëtarët e fundit të bandës, që i shpëtuan arrestimit këtë mëngjes. Policia italiane krahas arrestimeve ka kapur 84 kg marijuanë, 22 kg kokainë të pastër ( 77%), dhjetra pako me heroinë me peshë 11 kilogramë. 

Policisë i ra si telebingo, kur në një nga bazat e bandës kapi 250 000 euro kesh në bankënota të prerjeve të mëdha. Eurot janë fryt i trafikut të drogës dhe besohet se do shërbenin për të blerë një sasi kokaine të depozituar në Shqipëri, gati për t’u dërguar në Itali. 

Në bazat e bandës u konfiskuan edhe 2 pistoleta të kalibrit të madh. Pistoleta do t’i nënshtrohen ekspertizës balistike për të parë, nëse janë përdorur në ngjarje kriminale. Mbasdite pritet një konferencë shtypi e shefave të policisë italiane, ku do jepen më shumë hollësi për operacionin e sotëm.

/gj.th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/