Durrës, 3 korrik 2014 – Është arrestuar në orët e para të mëngjesit të sotëm një i ri durrsak, i cili ka tentuar të vjedhë as më shumë e as më pak, por portën e hekurt të spitalit rajonal të Durrësit.

29 vjeçari Aleksandër Methasa është arrestuar në flagrancë për “Vjedhje të mbetur në tentativë”, ndërsa po tentonte të priste portën e hekurt rreth orës 02.20 të mëngjesit të sotëm.

Ka qenë roja e spitalit, personi që ka njoftuar sallën operative për zhurmat e çuditshme që po dëgjonte në atë orë të vonë të natës.

Afërsia e spitalit me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës ka bërë që efektivët e gatshëm të ndërhyjnë menjëherë dhe të kapin në flagrancë të riun hajdut.

Në cilësinë e provës materiale atij i janë kapur dhe sekuestruar disa vegla për prerjen e metalit të kësaj porte.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/