ITALI, 08 mars 2013 – “Ju lumtë, u treguar të zotë”. Me këto fjalë i ka pritur 34 vjeçari shqiptar Bledar Marini, karabinierët italianë që i kanë vënë prangat pasditen e 7 marsit. I riu shqiptar akuzohet si autori i vrasjes së një shtetasi rumun natën mes të shtunës dhe të dielës së javës së kaluar. Duket se shkaku kryesor i vrasjes ka qenë një grindje për 30 euro. Portali italian Bergamonews bën të ditur se Marini është ndaluar një ditë më parë pas një hetimi 5 ditor dhe përgjimi telefonatash për lokalizimin e vendndodhjes së tij.

Ngjarja

Natën e 2 marsit dy shtetas rumunë që po lëviznin me motorr janë ndalur në një pikë karburanti. Aty ata kanë hasur një prostitutë moldave, 21 vjeçare. Ndërsa ishin të dehur, ata i kanë propozuar prostitutës që të kryenin marrëdhënie seksuale kundrejt shumës 30 euro. Duket se palët kanë rënë dakort, kështu që 37 vjeçari rumun Stefan Catalin Burcuta dhe kunati i tij kanë konsumuar marrëdhënien me moldaven.

Por pasi kanë mbaruar punë, ata kanë pretenduar se nuk kanë mbetur të kënaqur nga akti, kështu që i kanë kërkuar të resë moldave t’u kthejë mbrapsht paratë. Grindja ka nisur të degjenerojë dhe për këtë arsye prostituta ka telefonuar dikë. Nuk ka vonuar shumë dhe në pikën e karburantit ka mbërritur një automjet Renault Clio dhe nga ajo ka zbritur i fejuari i moldaves, shqiptari Bledar Marini.

Debatet mes katërshes kanë nisur të bëhen gjithnjë e më të forta dhe duket se Marini nuk është menduar dy herë, por ka vrapuar drejt makinës, ka marrë një thikë dhe me të ka goditur në gjoks 37 vjeçarin rumun, ndërkohë që kunatit të tij i ka shkaktuar një prerje në qafë. Më pas ka marrë të renë me vete dhe është arratisur nga vendngjarja. Policët kanë konfirmuar se 37 vjeçari rumun ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa kunati i tij është jashtë rrezikut për jetën.

Hetimet

Për pesë ditë me rradhë policia është munduar të identifikojë dhe ndalojë shqiptarin. Për identifikimin e tij kanë ndihmuar kamerat e sigurisë së pikës së karburantit, të cilat kanë fiksuar gjithë dinamikën e vrasjes.

Karabinierët kanë vënë menjëherë në përgjim telefonat e shqiptarit dhe të fejuarës së tij moldave dhe vetëm pas 5 ditësh kanë mundur të regjistrojnë një bisedë mjaft të shkurtër mes të dyve, ku Marini i shpjegonte 21 vjeçares moldave se do të nisej për Shqipëri dhe i nevojiteshin 1000 euro. Ai po qëndronte në pritje të të fejuarës së tij në një fast-food Mc Donald’s në Milano, kur dy policë, të veshur civilë, i janë ulur në tavolinë. “Ju lumtë, u treguat të zotë”,- ishin të vetmet fjalë që Marini u tha atyre para se të përfundonte pas hekurave.

/m.b. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/