Policia e Lezhës ka arrestuar 30-vjeçarin B.N banues në Kurbin, për veprimtari të jashtëligjshme në fushën e vjedhjes së banesave në vendet e BE-së.
Sipas uniformave blu gjatë kontrollit të banesës, 30-vjeçarit iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 2 krehra pistolete me fishekë, municion luftarak, 55 ora të markave të ndryshme, 18 unaza, 20 byzylykë dore, varëse, për të cilat nuk dispononte asnjë dokumentacion apo faturë blerjeje.
Sipas policisë, materialet e sekuestruara dyshohen të jenë produkte të veprimtarisë kriminale jashtë vendit në fushën e vjedhjes së banesave.
Sakaq materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”, “Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.





