Pak protestues, por forca të shumta policie në qendër të Durrësit. Kjo është panorama e mbrëmjes së sotme në sheshin “Liria” dhe rrugën “Aleksandër Goga”, ku si për ironi të fatit dukej sikur po protestonin policët e jo të rinjtë…
Megjithëse konform rregullave dhe pa shkaktuar asnjë incident, disa prej të rinjve protestues u shoqëruan në komisariat.
“Në këtë vend ka vdekur drejtësia, nuk ka funksionuar ende drejtësia për Klodianin!”,- tha kreu i FRPD-së Artion Barjamaj.
Ashtu si edhe pak ditë më parë, efektivët shoqëruan Artion Barjamaj, Shyqyri Myrtollarin dhe një të ri tjetër. Mbi dy të parët, policia e Durrësit pati ngritur akuzën për “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”.
Protesta
Në protestën e radhës të thirrur nga të rinjtë në rrjete sociale është shfaqur një arkivol.
Në mënyrë simbolike, të rinjtë e Durrësit kishin vendosur të ngjisnin disa pankarta në të, që nënkuptonin varrosjen e demokracisë dhe instalimin e diktaturës në vend.
“Shqipëria evropiane”, “Demokracia” “Who’s next?” (Kush e ka radhën?) ishin disa nga pankantat e vendosura në arkivol, ndërsa mbi të ishte shpalosur flamuri kombëtar.
Më arkivolin në krah, të rinjtë përshkuan rrugën në krah të bashkisë dhe përshkuan gjithë sheshin “Liria”, për ta vendosur më pas para Pallatit të Kulturës.





